E Enjte, 5 Nëntor 2026

Qeveria shtyn sërish hapjen e basteve online, ministri i Financave: Ligji po rishikohet për më shumë kontrolle

Qeveria ka shtyrë sërish hapjen e basteve online, pasi është duke rishikuar ligjin për të forcuar mbikëqyrjen dhe për të shmangur problemet sociale.

bastet online

Në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Financave, Petrit Malaj tha se edhe pse kuadri ligjor dhe VKM janë përfunduar, bastet do të hapen pasi të bëhet rishikimi.

Deputeti demokrat, Igli Cara tha se “Prej 7 vitesh në buxhet të shtetit nga bastet nuk ka fituar, nuk i keni të ligjëruara, dhe sot është plotësisht informal dhe të gjithë këtë faturë po ja faturoni biznesit të ndershëm”.

“Ne kemi mbaruar të gjithë kuadrin ligjor sa i përket basteve online, VKM-të respektive. Qeveria po e rishikon edhe një herë ligjin për të pasur një mbikëqyrje të kujdesshme për të mos pasur probleme sociale. Pasi të mbarojë rishikimi i ligjit aktual do të fillojë operimi i lojërave të fatit”, tha Malaj.

Kuadri ligjor për bastet sportive online u plotësua me të gjitha aktet nënligjore 28 muaj pas miratimit të ligjit, në shkurt 2024, por ende nuk është hapur konkurrimi për licencat.

Ligji parashikon dhënien e 10 licencave dhe lejon pjesëmarrjen vetëm online, përmes identifikimit me kartë identiteti. Pikat fizike të basteve u mbyllën më 1 janar 2019.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›