E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Qeverisja, zgjedhjet, gjyqësori, liria e medias dhe ekonomia – çka thotë Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën?

Komisioni Evropian ka paraqitur sot Raportin për Kosovën, ndërsa referuar këtij raporti vendi ka shënuar përparim të kufizuar në disa segmente e ka stagnuar në disa tjera.

Raporti thekson se funksionimi i institucioneve demokratike u ndikua negativisht nga mungesa e zgjatur e një Kuvendi funksional dhe vonesat në formimin e Qeverisë. Kjo thuhet se dobësoi mbikëqyrjen legjislative, kufizoi mekanizmat e kontrollit dhe balancimit të pushteteve, si dhe ngadalësoi zbatimin e reformave.


Po ashtu vihet në pah se diskursi politik në Kuvend mbetet tejet i polarizuar, me raste të retorikës diskriminuese, gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës seksiste.

Raporti për Kosovën

Zgjedhjet

Kosova mbajti zgjedhjet lokale më 12 tetor 2025, zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor 2025 dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor 2026. Të gjitha këto zgjedhje u zhvilluan në mënyrë paqësore, ishin konkurruese dhe përgjithësisht u administruan mirë.

Administrimi i zgjedhjeve dëshmoi kapacitet të mjaftueshëm për organizimin e procesit të votimit, përfshirë edhe në kushte të afateve të shkurtra kohore.

Pas mangësive në numërimin e votave dhe administrimin e rezultateve, të cilat e karakterizuan procesin zgjedhor të dhjetorit 2025, gjatë zgjedhjeve të qershorit 2026 u shënua përmirësim i ndjeshëm në procesin e tabelimit dhe administrimit të rezultateve.

Pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), përfshirë përpjekjet për të penguar certifikimin e Listës Serbe dhe rezultateve të saj zgjedhore, mekanizmat mbikëqyrës funksionuan në mënyrë efektive dhe përpjekjet për politizim ishin zbutur deri në kohën e zgjedhjeve të qershorit 2026.

Mekanizmat për zgjidhjen e kontesteve vepruan në mënyrë efektive dhe me kohë për trajtimin e ankesave.

Kuvendi

Kuvendi i ushtroi kompetencat e tij në një mënyrë tejet të kufizuar. Paraliza e zgjatur institucionale dhe bllokada politike çuan në pezullimin pothuajse të plotë të veprimtarisë parlamentare dhe në shpërndarjen e Kuvendit në nëntor 2025. Kuvendi i ri, i zgjedhur dhe i konstituuar më 11 shkurt 2026, por jetëshkurtër, mbeti i brishtë për shkak të mosmarrëveshjeve politike, paqartësive procedurale, përdorimit të gjerë të procedurave të përshpejtuara dhe mungesës së bashkëpunimit.

Gjykata Kushtetuese luajti rol të rëndësishëm në tejkalimin e bllokadave, rivendosjen e sigurisë juridike dhe ruajtjen e garancive për përfaqësimin e komuniteteve joshumicë, duke nxjerrë disa aktgjykime lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb i Kosovës. Kjo nxori në pah dobësitë sistemike dhe respektimin e pamjaftueshëm të kërkesave kushtetuese dhe procedurale.

Përfaqësimi i grave gjatë të dy legjislaturave të përfshira në periudhën raportuese ishte pak mbi kuotën ligjore prej 30%: 33,33% (40 nga 120 deputetë) pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025 dhe 34,2% (41 nga 120 deputetë) pas zgjedhjeve të qershorit 2026. Gratë mbanin pozita kyçe udhëheqëse, përfshirë pozitën e Kryetares së Kuvendit dhe shtatë nga 16 pozitat e kryetarëve të komisioneve. Megjithatë, nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të forcuar më tej pjesëmarrjen e tyre politike.

Komunitetet joshumicë vazhdojnë të përfaqësohen përmes garancive kushtetuese, ndonëse pjesëmarrja e tyre herë pas here u la në hije nga polarizimi i vazhdueshëm.

Pavarësisht shumicës së fortë të koalicionit qeverisës, ai nuk angazhoi në bashkëpunim strategjik me opozitën, duke bllokuar kështu reformat kyçe për integrimin në BE dhe duke penguar arritjen e konsensusit për zgjedhjen e Presidentit.

Procesi ligjvënës ishte shpesh i paparashikueshëm dhe jo mjaftueshëm gjithëpërfshirës, me konsultime të kufizuara me palët e interesit, integrim të dobët të kontributit të shoqërisë civile dhe përfshirje jo të qëndrueshme të perspektivës gjinore. Mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit ishte tejet e kufizuar, ndërsa të drejtat e opozitës u dobësuan nga polarizimi, bojkotet dhe mungesa e dialogut të strukturuar.

Diskursi politik në Kuvend mbetet tejet i polarizuar, me raste të retorikës diskriminuese, gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës seksiste. Kuvendit i mungojnë mekanizmat efektivë disiplinorë për të trajtuar retorikën diskriminuese dhe gjuhën e urrejtjes. Nxitja e një dialogu politik konstruktiv në të gjithë Kuvendin, forcimi i respektimit të rregullave procedurale, përmirësimi i cilësisë së legjislacionit dhe i procesit të konsultimit, si dhe fuqizimi i funksioneve mbikëqyrëse janë thelbësore për rikthimin e rolit të Kuvendit në qeverisjen demokratike dhe integrimin në BE.

Kuvendi duhet të procedojë urgjentisht me emërimin e Sekretarit të Përgjithshëm, si dhe me emërimet në institucionet kryesore të pavarura, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe Institucionin e Avokatit të Popullit, Organin Shqyrtues të Prokurimit, Komisionin e Ndihmës Shtetërore dhe Autoritetin e Konkurrencës.

Integrimi në BE

Qeveria emëroi një kryenegociator/koordinator kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje (RGF), një hap që dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm politik ndaj integrimit evropian.

Qeveria gjithashtu themeloi një Komision Ekzekutiv për koordinimin e procesit të anëtarësimit në BE.

Kuvendi i ratifikoi marrëveshjet që lidhen me Instrumentin për Reforma dhe Rritje më 13 shkurt.

Përparimi në reformat që lidhen me BE-në mbeti i pabarabartë për shkak të paqëndrueshmërisë së zgjatur politike, joefikasitetit të Kuvendit dhe bllokadës paszgjedhore.

Ndonëse situata politike u përmirësua pas formimit të Qeverisë, efektiviteti i strukturave të reja për integrimin në BE ende nuk është dëshmuar.

Para zgjedhjeve, Komisioni Parlamentar për Integrim Evropian hasi vështirësi në përmbushjen e rolit të tij, pasi vonesat procedurale dhe kapacitetet e kufizuara administrative dobësuan koordinimin e reformave që lidhen me BE-në.

Organet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit vazhduan të mbajnë takime gjatë periudhës raportuese, pas heqjes së masave të BE-së.

Qeverisja

Qeveria ishte në detyrë kujdestare gjatë pjesës më të madhe të periudhës raportuese, gjë që kufizoi efektivitetin e qeverisjes dhe vonoi reformat strukturore. Kompetencat e plota u rikthyen vetëm për një periudhë të shkurtër pas formimit të Qeverisë në shkurt 2026 dhe përsëri, pas përfundimit të periudhës raportuese, në shtator 2026. Gjatë periudhës raportuese, një numër i konsiderueshëm i deputetëve të sapozgjedhur vazhduan të ushtronin njëkohësisht edhe funksionet e tyre në ekzekutiv, gjë që dukej e papajtueshme me dispozitat e Kushtetutës dhe të Ligjit për Qeverinë. Transparenca e vendimmarrjes u ruajt formalisht, por mungesa e mbikëqyrjes parlamentare e uli efektivitetin e mekanizmave të llogaridhënies.

Autoritetet e pavarura rregullatore dhe Avokati i Popullit vazhduan të funksiononin, ndonëse ndikimi i tyre i përgjithshëm mbeti i kufizuar.

Koordinimi ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal mbetet kryesisht reaktiv, duke ndikuar në zbatimin e përgjegjësive të deleguara dhe në planifikimin e zhvillimit lokal.

Zgjedhja e kryetarëve serbë të komunave në veri të Kosovës në dhjetor 2025 ishte një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të qeverisjes lokale përfaqësuese. Megjithatë, udhëheqjet e komunave veriore përballen me pengesa të konsiderueshme, përfshirë mungesën e qasjes në arkivat e plota dhe faktin se një pjesë e stafit të punësuar nga administratat e mëparshme komunale nuk e zotëron gjuhën e komunitetit shumicë në komunat përkatëse dhe nuk pasqyron siç duhet përbërjen e komunitetit. Marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve të nivelit qendror dhe të gjitha komunave me shumicë serbe në Kosovë mbeten të tensionuara, me shqetësime lidhur me respektimin e kërkesave gjuhësore, pengesat procedurale dhe rastet kur Policia dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kufizojnë ushtrimin e kompetencave komunale ose të aktiviteteve të miratuara rregullisht nga autoritetet komunale.

Përfaqësimi i komuniteteve joshumicë në strukturat e qeverisjes mbetet i pamjaftueshëm si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal. Emërimi i dy zëvendësministrave nga komuniteti serb i Kosovës në mars 2026, pa miratimin formal të shumicës së deputetëve serbë të Kosovës, siç kërkohet me Kushtetutë, ngriti shqetësime lidhur me përfaqësimin e pakicave dhe dobësoi të drejtat e tyre kushtetuese.

Reforma e administratës publike

Kosova ka arritur një nivel të caktuar të përgatitjes në fushën e reformës së administratës publike. Gjatë periudhës së raportimit është shënuar njëfarë përparimi, përfshirë fillimin e rekrutimeve të centralizuara, publikimin për herë të parë të raportit vjetor mbi menaxhimin e burimeve njerëzore në shërbimin publik, zgjerimin e mëtejshëm të shërbimeve digjitale dhe forcimin e drejtësisë administrative.

Megjithatë, vazhdojnë të ekzistojnë mangësi të konsiderueshme në zbatimin e kuadrit strategjik dhe ligjor. Ka vonesa të mëdha në miratimin e organizimit të brendshëm të institucioneve të administratës publike, si dhe në përfundimin e klasifikimit të vendeve të punës dhe sistematizimit, të cilat mbeten thelbësore për modernizimin e administratës së Kosovës.

Rekomandimet e Komisionit Evropian nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht.

Gjyqësori dhe të drejtat themelore

Kosova ndodhet ndërmjet një faze të hershme të përgatitjes dhe arritjes së një niveli të caktuar të përgatitjes, ndërsa në përgjithësi nuk ka shënuar asnjë përparim në funksionimin e sistemit gjyqësor. Ndikimi i papërshtatshëm nga brenda sistemit dhe nga faktorë të ndryshëm të jashtëm, siç janë interesat politike dhe ekonomike, jo vetëm që vazhdon të përbëjë një pengesë të konsiderueshme për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit, por në disa aspekte edhe është intensifikuar.

Paketa e projektligjeve për sistemin e drejtësisë ende nuk është miratuar, gjë që po pengon realizimin e reformave shumë të nevojshme në këtë fushë. Kjo ka ndikuar negativisht në përpjekjet për forcimin e llogaridhënies dhe efikasitetit brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

Më 6 tetor 2026, Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS). Më 22 tetor, Presidenti ia ktheu Kuvendit ligjin për rishqyrtim.

Ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze lidhur me përmbushjen e zotimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht në aspektin e pavarësisë së gjyqësorit, mbrojtjes së viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësisë së të drejtave procedurale dhe sigurimit të llogaridhënies efektive për krimet e luftës. Këto ndryshime gjithashtu ngrenë shqetësime lidhur me kushtetutshmërinë e tyre.

Lufta kundër korrupsionit

Kosova ndodhet ndërmjet një faze të hershme të përgatitjes dhe arritjes së një niveli të caktuar të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit dhe ka shënuar përparim të kufizuar.

Sa u përket rasteve të korrupsionit që nuk përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë, numri i vendimeve përfundimtare gjyqësore dhe i dënimeve është rritur ndjeshëm. Megjithatë, në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë është shënuar rënie e numrit të vendimeve përfundimtare gjyqësore dhe e dënimeve.

Kosova ende nuk ka një kornizë të plotë strategjike për luftimin e korrupsionit dhe mungon një qasje koherente për forcimin e përpjekjeve kundër korrupsionit.

Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve është në përputhje me legjislacionin më të fundit të Bashkimit Evropian në këtë fushë.

Numri i raportimeve për sinjalizim të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) është rritur ndjeshëm, duke u dyfishuar pothuajse në krahasim me vitin e kaluar. Kjo tregon një prirje më të lartë për raportimin e praktikave korruptive.

Për më tepër, APK-ja ka dëshmuar një qasje proaktive dhe ka ndërmarrë veprime përcjellëse të kënaqshme gjatë referimit të rasteve tek autoritetet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit, për veprime të mëtejshme.

Agjencia ka administruar me sukses dorëzimin dhe regjistrimin e deklarimeve të pasurisë, por duhet të ndërmarrë përpjekje të mëtejshme për të forcuar kontrollin dhe verifikimin efektiv të këtyre deklarimeve.

Të drejtat themelore

Kuadri ligjor dhe institucional për promovimin, mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të njeriut është kryesisht i vendosur, por nevojitet një zbatim më i fuqishëm i tij. Përpjekjet e vazhdueshme për harmonizimin e legjislacionit me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë ato të përcaktuara në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, janë për t'u vlerësuar, por kërkojnë një dinamikë dhe intensitet më të madh.

Kuvendi gjithashtu duhet të nisë me shpejtësi një proces transparent për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të tij, pas konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të vitit 2026.

Operacionet e fundit të zbatimit të ligjit në veri të Kosovës, përfshirë rrënimin e pronave private pa respektimin e duhur të procedurave ligjore, evidentojnë mangësi në mbrojtjen efektive të së drejtës së pronës. Masat e pakthyeshme po zbatohen ndërkohë që kontestimet gjyqësore janë ende në shqyrtim, duke ngritur shqetësime lidhur me qasjen në mjete juridike efektive.

Liria e shprehjes dhe liria e medias

Kosova ka arritur një nivel të caktuar të përgatitjes në këtë fushë dhe ka shënuar përparim të kufizuar.

Anëtarët e bordeve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), transmetuesit publik, dhe të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) janë emëruar në pjesën më të madhe, ndërsa katër vende në Bordin e RTK-së ende mbeten të paplotësuara. Ligjet e reja për KPM-në dhe RTK-në ende nuk janë miratuar.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës u ka dhënë përparësi trajtimit të rasteve që përfshijnë mediat dhe organizatat e shoqërisë civile (OSHC).

Megjithëse peizazhi mediatik vazhdon të jetë pluralist, ai ende përballet me sfida që lidhen me transparencën e pronësisë së mediave dhe qëndrueshmërinë financiare.

Mjedisi në zonat e banuara me shumicë serbe, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës, vazhdon të jetë kufizues, duke nxitur vetëcensurën në mesin e publikut, mediave dhe shoqërisë civile.

Lufta kundër krimit të rëndë dhe krimit të organizuar

Kosova ka arritur një nivel të caktuar të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar dhe ka shënuar njëfarë përparimi në këtë fushë, veçanërisht përmes:

1. Miratimit të Planit Strategjik të Zhvillimit të Policisë së Kosovës;

2. Miratimit të Strategjisë për Policimin e Integruar, të Bazuar në Inteligjencë dhe Policimin në Bashkësi;

3. Miratimit të Strategjisë së Burimeve Njerëzore të Policisë së Kosovës;

4. Zhvillimit të kapaciteteve operacionale për sekuestrimin dhe administrimin e aseteve në kriptovaluta.

Zhvillimi ekonomik dhe konkurrueshmëria - ekzistenca e një ekonomie funksionale të tregut

Kosova ka arritur një nivel të caktuar të përgatitjes dhe ka shënuar njëfarë përparimi në zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut.

Aktiviteti ekonomik është ngadalësuar si pasojë e rritjes më të dobët të konsumit të ekonomive familjare dhe një mjedisi të jashtëm më pak mbështetës.

Pavarësisht performancës së qëndrueshme të të hyrave buxhetore, deficiti i përgjithshëm buxhetor u rrit lehtë gjatë vitit 2025, pjesërisht për shkak të rritjes së konsiderueshme të shpenzimeve sociale dhe pagave në sektorin publik para zgjedhjeve. Këto rritje ndikojnë gjithashtu në buxhetin e vitit 2026 dhe pengojnë përpjekjet për uljen e presioneve inflacioniste dhe kufizimin e ç’ekuilibrave të jashtëm.

Megjithëse borxhi publik mbetet në nivel të ulët, sfidat fiskale vazhdojnë të jenë të pranishme. Ato burojnë nga baza e ngushtë tatimore, joefikasiteti në menaxhimin e investimeve publike, përfitimet sociale të cilat nuk janë të orientuara mirë, si dhe problemet e qeverisjes dhe performanca e dobët financiare e ndërmarrjeve publike (NP).

Tregu i punës karakterizohet nga një nivel i ulët i pjesëmarrjes në fuqinë punëtore dhe norma ende të larta të papunësisë, veçanërisht në mesin e grave dhe grupeve të cenueshme.

Sektori bankar vazhdon të jetë i qëndrueshëm, por forcimi i mëtejshëm i mbikëqyrjes mbetet i rëndësishëm, në kushtet e rritjes së konsiderueshme të kreditimit.

Është shënuar njëfarë përparimi në përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe në zvogëlimin e ekonomisë së madhe informale. Megjithatë, dobësitë në sundimin e ligjit vazhdojnë të pengojnë zhvillimin e sektorit privat.

Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU: /Telegrafi/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›