Qindra fansa të pranishëm në hapjen e dyqanit të Harry Styles në Berlin

BERLIN, 6 mars /ATSH–DPA/- Qindra fansa të këngëtarit britanik Harry Styles u mblodhën sot në qendër të Berlinit, për hapjen e një dyqani të përkohshëm “pop-up”, me rastin e publikimit të albumit të tij të ri “Kiss All the Time. Disco, Occasionally”.
Turma filloi të mblidhej që herët gjatë ditës në rrugën e njohur të blerjeve “Kurfürstendamm”, një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman.
Sipas raportimeve të gazetarëve në vendngjarje, radhët e fansave arritën në më shumë se 100 metra gjatësi, ndërsa shumë prej tyre pritën për orë të tëra për të hyrë në dyqan.
Edhe pse vetë këngëtari nuk pritej të ishte i pranishëm, kjo nuk i pengoi fansat e tij të merrnin pjesë në aktivitet.
Shumë fansa kishin veshur bluza dhe aksesorë me emrin e artistit, bënin fotografi përpara vitrinës së dyqanit dhe qëndronin në grupe duke dëgjuar këngët e tij në altoparlantë portativë.
Dyqani i përkohshëm ofron artikuj ekskluzivë të lidhur me albumin e ri të Styles.
Mes produkteve që mund të gjenden aty përfshihen disqe, bluza dhe suvenire të tjera të dizajnuara posaçërisht për këtë publikim.
Megjithëse fansat në Berlin shpresonin për një shfaqje të papritur të këngëtarit, ai nuk pritej të merrte pjesë në hapjen e dyqanit.
Në të njëjtën ditë, Styles ka planifikuar të performojë në Mançester për të shënuar zyrtarisht publikimin e albumit të ri.
Megjithatë, vetë Berlini ka pasur një rol të rëndësishëm në krijimin e këtij projekti muzikor.
Sipas artistit, koha që ai kaloi në kryeqytetin gjerman ka ndikuar në stilin dhe elementët e albumit.
Një pjesë e këngëve janë regjistruar edhe në studion legjendare “Hansa Studios”, një vend historik ku në të kaluarën kanë regjistruar shumë artistë të njohur ndërkombëtarë.
Albumi i ri shënon rikthimin e Styles me materiale të reja muzikore dhe pritet të shoqërohet me aktivitete promovuese dhe koncerte në disa qytete të botës, ndërsa dyqane “pop-up” të ngjashme po hapen edhe në metropole të tjera si Londra, Amsterdami, Nju Jorku dhe Tokio. //a.i/