Qose: Synojmë që çdo burg të ketë kapelanin e vet brenda vitit 2025

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose priti sot në një takim Raffaele Grimaldin, Inspektor i Përgjithshëm i Kapelanëve të Departamentit të Administratës Penitenciare dhe të Drejtësisë për të Mitur dhe Komunitetin, si dhe Padre Luigi Cannato.
Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin e përbashkët në sistemin penitenciar dhe sfidat me të cilat ai përballet sot.
“Besoj fort se çdo person, pavarësisht rrethanave apo gabimeve të së shkuarës, meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë mundësi për një fillim të ri”, theksoi Qose.
Qose nënvizoi përmes një postimi në rrjetet sociale se “u theksua rëndësia e rolit të predikuesve të besimeve fetare, të cilët me përkushtim dhe vullnet të lirë shërbejnë pranë të dënuarve, duke u dhënë forcë shpirtërore dhe shpresë për ndryshim”.
“U zotova që brenda këtij viti, çdo shërbëtor i Zotit që kontribuon në institucionet tona të vuajtjes së dënimit do të përfshihet në një skemë page, për të vlerësuar me dinjitet punën e tyre të vyer”, shkruan Qose.
Sipas Qoses “synojmë që deri në dhjetor të vitit 2025, çdo burg të ketë kapelanin e vet të përhershëm, si dhe të rritet përfshirja e përfaqësuesve të komuniteteve fetare në jetën shpirtërore të të burgosurve”.
“Ne do të vazhdojmë ta udhëheqim këtë proces me frymë humanizmi dhe respekti, për një sistem penitenciar që garanton dinjitetin dhe rikthimin e çdo individi në shoqëri”, shkruan Qose.
Një kapelan fetar është një prift, hoxhë, rabin ose përfaqësues tjetër fetar që shërben brenda një institucioni (jo në një kishë apo xhami), për t’u kujdesur për nevojat shpirtërore dhe morale të njerëzve aty.
/a.f/r.e/