E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bogdani: Puna e SPAK nuk kalon në kolaps nga përfundimi i mandateve të prokurorëve

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani tha sot në Kuvend se nuk parashikon kolaps në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pas përfundimit të mandatit të prokurorëve dhe të drejtës së tyre për të mos rikandiduar.

Bogdani tha se të gjithë prokurorët, brenda ose jashtë SPAK, janë gati për të mbrojtur interesin publik, pavarësisht strukturës ku shërbejnë.

Bogdani sqaroi se SPAK i ka krijuar konturet e veta dhe se mandatet e prokurorëve nuk përfundojnë të gjithë në një kohë.

“Ne nuk mund të bëjmë vlerësim apo ndryshim legjislacioni. Në kushtet aktuale jemi të detyruar të zbatojmë në mënyrë rigoroze Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Lidhur me mundësinë eventuale nëse mund të kolapsohet puna e SPAK apo jo, do thoja që të gjithë prokurorët, pavarësisht se ushtrojnë ndjekjen penale parën SPAK apo jo, janë gati për të mbrojtur interesin publik, pavarësisht strukturës ku shërbejnë.

“Ka shumë prokurorë në sistem që kanë patur vlerësimin shkëlqyeshëm, kanë maturinë e nevojshme, kanë ekspertizën për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Nuk mendoj se mundet të kolapsojë puna e SPAK. Aq më tepër që struktura është ngritur, SPAK ka definuar konturet e veta dhe ka një lloj ripërtëritje në mënyrë të pjesshme kohore të anëtarëve të vet”, u shpreh Bogdani.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka kërkuar vazhdimisht mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të SPAK, pas përfundimit të mandatit të tyre 9-vjeçar.

Bogdani u pyet edhe për afatet e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK dhe BKH-së. Procesi për zgjedhjen e drejtuesit të ri të BKH pritet të përfundojë deri më 10 nëntor, ndërsa kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme pritet të zgjidhet në fillim të dhjetorit.

“Lidhur me procesin e drejtuesit të BKH në komunikim me strukturat e Prokurorisë së Posaçme për shkak të verifikimeve disi të zgjatura të aplikimeve për kandidatët, rreth datës 10 nëntor pritet të finalizohet procesi. Ndërsa për zgjedhjen e drejtuesit të SPAK, besoj se ndoshta fillimi i dhjetorit, por jemi duke e diskutuar me anëtarët e Këshillit. Besoj se do të përfundojë procesi nga fillimi i muajit dhjetor që drejtuesi i ri të ketë mundësi të bëjë marrjen e detyrës në mënyrë më të natyrshme nga aktuali. Do të jetë para datës 16, kur mbaron mandati i drejtuesit aktual”, theksoi Bogdani.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›