E Diel, 1 Nëntor 2026

Qosja: Ismail Kadare, personalitet madhor historik i kulturës shqiptare

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Akademiku Rexhep Qosja vlerësoi sot se Ismail Kadare i dha gjuhës shqipe një përmasë universale dhe i dha kulturës shqiptare një zë të dallueshëm, të dëgjuar dhe të respektuar.

Në një letër dërguar Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme me rastin e aktivitetit të zhvilluar sot, në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, akademiku Qosja e cilëson atë një krijues të jashtëzakonshëm.

Qosja nuk mundi të ishte i pranishëm, por letra e tij u lexua për të pranishmit.

Qosja shkruan se Kadare ka lënë pas një vepër që ka tejkaluar kohën e vet dhe kufijtë e gjuhës së vet.

“Ismail Kadare është një nga emrat më përfaqësues të letërsisë shqipe. Ai është shkrimtari që e futi përvojën historike, mitike dhe etike të shqiptarëve në hartën e madhe të letërsisë evropiane dhe botërore”, vlerëson akademiku Qosja.

Në letrën e tij, Qosja sjell në vëmendje edhe mospajtimet apo polemikat me Kadarenë, që sipas tij, ndodhin shpesh mes intelektualëve që mendojnë thellë dhe ndryshe.

“Polemika jonë më e njohur lidhej me çështjen e identitetit të shqiptarëve. Ishin mendime të ndryshme, argumente të ndryshme, këndvështrime të ndryshme mbi të njëjtën çështje themelore. Këto mospajtime nuk ishin personale; ato ishin intelektuale dhe kulturore. Megjithatë, siç ndodh ndonjëherë në jetën njerëzore, ato lanë pasoja edhe në raportin tonë personal. Shoqëria jonë u zbeh dhe rrugët tona, mjerisht, nuk u takuan më”, thekson Qosja.

Sot, duke e kujtuar Ismail Kadarenë në 90-vjetorin e lindjes së tij, akademiku Qosja vlerëson se madhështia e tij si shkrimtar dhe rëndësia e tij historike për kulturën shqiptare janë përtej çdo mospajtimi.

“Letërsia nuk matet me pajtime apo mospajtime personale, por me thellësinë e mendimit, me fuqinë e gjuhës dhe me ndikimin e saj afatgjatë. Ismail Kadare ishte dhe mbetet para së gjithash shkrimtar i kombit të vet. Ai e deshi Shqipërinë jo në mënyrë deklarative, por krijuese. Ai e deshi atë duke e shndërruar historinë, dramën dhe shpirtin shqiptar në letërsi të madhe”, vlerësoi ai.

Për akademikun Qosja, “Ismail Kadare sot nuk ka nevojë për lavde të rastit”.

“Ai ka nevojë për lexim, rilexim dhe kuptim. Ai ka nevojë që vepra e tij të trajtohet me seriozitet shkencor dhe me ndjeshmëri kulturore. Brezat që vijnë mund ta lexojnë ndryshe, por gjithmonë do ta lexojnë dhe do ta adhurojnë. Ndarja e tij nga jeta është vetëm ndarje trupore. Emri, vepra dhe mendimi i tij janë të gjithmonshëm. Në këtë 90-vjetor të lindjes së tij, Ismail Kadare mbetet personalitet madhor historik i kulturës shqiptare, një nga figurat që do të vazhdojë të na sfidojë, të na shqetësojë dhe të na frymëzojë”, u shpreh akademiku Qosja.

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›