E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarët vijojnë protestën përballë Kryeministrisë

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Në Tiranë ka vijuar për të 37-tën ditë radhazi protesta e qytetarëve, e cila nisi kundër investimit në Zvërnec dhe në vijim u publikuan edhe kërkesa të tjera nga nismëtarët.

Qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Gjatë marshimit, protestuesit kanë bërë thirrje për largimin e klasës së vjetër politike.

Me pankarta në duar, ata kërkojnë gjithashtu, ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë bërë thirrje për vijimin e protestës në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa në ditët e fundit tubimi është zhvendosur edhe në formë marshimesh në disa prej akseve kryesore të Tiranës.

Një protestuese ka lexuar nga foltorja një sërë kërkesash drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.

Në deklaratë kërkohet dorëheqja e panegociueshme e Kryeministrit dhe e gjithë kabinetit qeveritar, si dhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore jopartiake me mandat 12-mujor.

Po ashtu, kërkohet hartimi i një kushtetute të re, e cila sipas protestuesve duhet të garantojë barazinë para ligjit dhe të miratohet me referendum popullor. Në këtë kuadër, propozohet edhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ligjit për financimin e partive politike dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit, maksimumi dy mandate gjatë gjithë jetës politike.

Në deklaratë përfshihet gjithashtu kërkesa për mosheqje dorë nga pikat e mëparshme të protestës, përfshirë anulimin e ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”, shfuqizimin e ligjit për “Trashëgiminë kulturore”, paketën ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”, si dhe kuadrin për “Investimet Strategjike”.

Protestuesit propozojnë edhe hartimin e një “kontrate të re sociale” mes qytetarëve dhe shtetit, që sipas tyre duhet të ndërtohet përmes konsultimeve me ekspertë dhe qytetarë jopartiakë të dalë nga vetë protesta.

Nëna e një prej të arrestuarve pas protestës së zhvilluar te Kuvendi deklaroi se i biri, sipas saj, ka ende shenja në trup nga goditjet gjatë shoqërimit në polici. Ajo iu drejtua kryeministrit Rama, duke theksuar se arrestimet nuk i kanë frikësuar protestuesit dhe se protesta do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Mos mendo se do na trembësh me arrestimin e fëmijëve tanë. Këtu do të jemi derisa të largoheni”, u shpreh ajo, duke shtuar se protesta do të vazhdojë në mënyrë të qëndrueshme.

Ndërkohë, një nga organizatorët e protestës, Andi Tepelena, iu referua deklarimeve të ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri, duke i cilësuar ato si mbështetje për protestat paqësore dhe për vlerat demokratike.

Ai tha se protesta po vijon prej 37 ditësh dhe, sipas tij, ka fituar vëmendje dhe mbështetje ndërkombëtare, ndërsa theksoi se vijimi i saj do të ndikojë në zhvillimet politike në vend.

Pasi u larguan nga bulevardi përpara godinës së Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin e tyre në Tiranë, duke u zhvendosur drejt godinës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Mbahet protesta e 37-të në Tiranë; Fotoreporter: Andrin Hoxha 1 nga 20

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›