E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama publikon pamje nga Tirana: Kryeqyteti i Europës së Ballkanit

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga atmosfera e mbrëmjes në Tiranë, ku në të njëjtën kohë zhvillohet protesta qytetare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa mijëra qytetarë ndjekin ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit në ekranet gjigante të vendosura në qendër të kryeqytetit.

Përmes postimit të tij, Rama e cilësoi Tiranën si “kryeqyteti i Europës së Ballkanit”, duke shoqëruar pamjet me vargje nga kënga “Tirona”, e interpretuar prej tij dhe grupit West Side Family.

“Live nga kryeqyteti i Europës së Ballkanit. Kjo osht Tirona jon, Tirona kontradiktës. E luftës, e paqes, e errësirës dhe e dritës. Mashtrimit, të vërtetës, shpifjes, interesit, e qejfit dhe e stresit, ahengut dhe biznesit”, shkroi Rama.

Në Tiranë vijojnë prej 37 ditësh protestat e nisura kundër investimit në Zvërnec dhe që më pas janë shoqëruar edhe me kërkesa të tjera politike e institucionale nga organizatorët. Paralelisht, në sheshin “Skënderbej” dhe në ambiente të tjera publike e lokale të kryeqytetit, qytetarët ndjekin ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit në ekranet gjigante të vendosura nga Bashkia e Tiranës dhe operatorë privatë.

1 nga 2

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›