E Diel, 1 Nëntor 2026

RIGA – Letonia dhe Ukraina bashkëpunojnë për mbrojtjen nga kërcënimet ajrore

RIGA, 2 qershor /ATSH-DPA/- Ekspertë ukrainas të luftës me dronë do të udhëtojnë  javët e ardhshme në Letoni për të ndihmuar autoritetet vendase në përballimin e kërcënimeve nga mjetet ajrore pa pilot. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri letonez Andris Kulbergs pas një takimi me homologen ukrainase Yulia Svyrydenko në Riga.

Sipas Kulbergs, specialistët ukrainas do të ndajnë përvojën e tyre dhe do të kontribuojnë në hartimin e një plani afatgjatë për krijimin e një sistemi të shtresëzuar të mbrojtjes ajrore, të aftë të përballet me lloje të ndryshme kërcënimesh. Ai theksoi se Letonia duhet të jetë më e përgatitur për të zbuluar dhe neutralizuar dronët që hyjnë në hapësirën e saj ajrore.

Kryeministrja ukrainase Svyrydenko konfirmoi mbështetjen e Kievit për këtë nismë. Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte njoftuar se ekspertë të fushës do të dërgoheshin në Letoni për të ndihmuar në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit baltik.

Anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, Letonia kufizohet me Rusinë dhe Bjellorusinë dhe vitet e fundit ka regjistruar disa incidente me dronë që kanë depërtuar në hapësirën e saj ajrore. Në disa raste, dronë të përfshirë në sulmet ukrainase ndaj objektivave në veriperëndim të Rusisë kanë devijuar nga kursi dhe janë rrëzuar në territorin letonez.

Megjithëse këto incidente nuk shkaktuan dëme të mëdha apo viktima, ato krijuan debat politik në vend dhe kontribuuan në një krizë qeveritare që çoi në ndryshimin e kabinetit.

Qeveria e re e Kulbergs mori detyrën vetëm pak ditë më parë, ndërsa vizita e Svyrydenkos ishte e para e një lideri të huaj në administratën e re. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›