E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Bisedimet Izrael-Liban rifillojnë në Uashington, por dyshimet mbeten të mëdha

UASHINGTON, 2 qershor /ATSH-DPA/ – Bisedimet që synojnë t’i japin fund luftimeve mes Izraelit dhe lëvizjes Hezbollah të mbështetur nga Irani në Liban hynë sot në një raund të ri, mes skepticizmit të përhapur për mundësinë e suksesit të tyre.

Raundi i katërt i negociatave mes përfaqësuesve të qeverive izraelite dhe libaneze në Uashington u përshkrua nga burime të qeverisë libaneze si një takim përgatitor për bisedime më të rëndësishme që do të zhvillohen të mërkurën.

Këto diskutime pritet të përqendrohen në tërheqjen graduale të trupave izraelite nga Libani, vendosjen e ushtrisë libaneze në zonat e prekura dhe masat për forcimin e armëpushimit.

Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shpall në prill dhe zyrtarisht zbatohet vetëm mes Izraelit dhe Libanit, por jo ndaj Hezbollahut.

Hezbollahu nuk merr pjesë në bisedime. Grupi i konsideron negociatat si një formë dorëzimi dhe ka refuzuar gjithashtu thirrjet për çarmatimin e tij.

Delegacionet në Uashington diskutuan gjatë takimit të sot[m situatën e tensionuar në periferitë jugore të Bejrutit, raportoi transmetuesi libanez LBCI.

Kryeministri libanez, Nawaf Salam, tha se vendosja e një armëpushimi të qëndrueshëm në të gjithë vendin ishte objektivi kryesor i bisedimeve.

Negociatat janë “mundësia më e mirë për Libanin dhe popullin libanez”, tha Salam, duke shtuar se ato mund të ndihmojnë në përfundimin më të shpejtë të asaj që ai e cilësoi si “pushtim” izraelit të pjesëve të vendit dhe të mundësojnë kthimin e banorëve të jugut të Libanit, zonë që ka përballuar pjesën më të madhe të sulmeve izraelite kundër objektivave të Hezbollahut, në qytetet dhe fshatrat e tyre.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ngriti shpresat për një ulje të tensioneve të hënën, pas disa ditësh përshkallëzimi të luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump tha se të dyja palët do të ndalonin fillimisht sulmet kundër njëra-tjetrës. Ai shtoi gjithashtu se Izraeli nuk do të dërgonte trupa në Bejrut. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›