ROMË – Aleatët e Ukrainës zbulojnë fondin e ri të rindërtimit

ROMË, 10 korrik /ATSH-DPA/ – Partnerët evropianë të Kievit do të paraqesin një fond rindërtimi për Ukrainën, ndërsa takohen sot në Romë për të diskutuar mjetet e mëtejshme të mbështetjes, më shumë se tre vjet e gjysmë pas fillimit të luftës.
Ministrja gjermane e Zhvillimit, Reem Alabali Radovan, tha se “fondi, i cili do të mbështetet nga Gjermania, Italia, Polonia, Franca dhe Komisioni Evropian, kishte për qëllim të nxiste zhvillimin ekonomik të Ukrainës, sepse rindërtimi nuk është i mundur pa një ekonomi të fortë”.
Udhëheqësit evropianë, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz, do të marrin pjesë në konferencën dyditore në kryeqytetin italian për të gjetur mënyra për të ndihmuar në rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar, siç janë rrugët dhe termocentralet, ndërsa lufta është ende duke vazhduar.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet gjithashtu të marrë pjesë së bashku me përfaqësues të rreth 60 vendeve.
Alabali Radovan tha se qëllimi i fondit të planifikuar ishte të “siguronte mbështetje ekonomike për Ukrainën me fonde private dhe publike” duke shtuar se “detaje të mëtejshme do të zbulohen më vonë”.
Ndërsa sulmet e rënda ruse ndaj Ukrainës vazhdojnë të pandërprera, udhëheqësit evropianë në Romë pritet gjithashtu të marrin pjesë në një video-konferencë të të ashtuquajturit “koalicion i të vullnetshmëve” – një aleancë prej rreth 30 vendesh që mbështesin Ukrainën të udhëhequr nga Britania dhe Franca.
Takimi i Romës është i katërti i këtij lloji që kur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, me edicionet e mëparshme të mbajtura në Berlin, Mbretërinë e Bashkuar dhe Zvicër./ /os/