GJENETIKË – Shkencëtarët gjejnë gjurmën 5 500-vjeçare të murtajës

LONDËR, 10 korrik /ATSH-DPA/ – Një studim në shkallë të gjerë i sëmundjeve njerëzore që daton 37 000 vjet më parë ka identifikuar baktere, viruse dhe parazitë të dëmshëm që kanë munduar njerëzit për mijëvjeçarë, duke gjetur gjurmët e para të bakterit të murtajës afërsisht 5 500 vjet më parë.
Studimi hartëzoi një katalog të tërë të sëmundjeve infektive duke analizuar ADN-në nga kockat dhe dhëmbët e 1 313 individëve që jetuan në Evropë dhe Azi (Eurazi) nga Epoka e Gurit, afërsisht 12 500 vjet më parë, deri në afërsisht 200 vjet më parë, me mostrën më të vjetër që daton rreth 37 000 vjet më parë.
Studiuesit zbuluan se gjurmët më të hershme të sëmundjeve zoonotike – sëmundje të transmetuara nga kafshët te njerëzit – datojnë afërsisht 6 500 vjet më parë dhe përhapen më tej afërsisht 1 500 vjet më vonë.
“Ne kemi dyshuar prej kohësh se kalimi në bujqësi dhe blegtori solli një epokë të re sëmundjesh. Tani ADN-ja na tregon se kjo ndodhi të paktën 6 500 vjet më parë”, theksoi profesori Eske Willerslev i Universiteteve të Kembrixhit dhe Kopenhagenit.
“Këto infeksione jo vetëm që shkaktuan sëmundje, por mund të kenë kontribuar në rënien e popullsisë, migrimin dhe përshtatjen gjenetike”, shtoi ai.
Studimi gjeti gjurmën më të vjetër gjenetike në botë të Yersinia pestis, bakterit të murtajës, në një mostër që daton 5,500 vjet më parë.
Është vlerësuar se murtaja vrau midis një të katërtës dhe gjysmës së popullsisë së Evropës gjatë Mesjetës./ /os/