RUMANI – Shtatë tifozë të PAOK-ut humbin jetën në një aksident

ATHINË, 27 janar /ATSH-ANA/ – Shtatë tifozë të skuadrës greke të futbollit të PAOK-ut u konfirmuan sot të vdekur nga ambasada greke në Rumani, pas një aksidenti rrugor pranë Timishoarës.
Pasagjerët udhëtonin me një furgon që po shkonte në Francë, i cili u përplas ballë për ballë në fshatin Lugojel, në rajonin Timis të Rumanisë.
PAOK-u do të luajë të enjten kundër francezëve të Lille, në ndeshjen e vlefshme për Europa League.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis tha se ishte “thellësisht i tronditur” kur dëgjoi për aksidentin tragjik që mori jetën e shtatë tifozëve të PAOK-ut në Rumani.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri tha se “jam thellësisht i tronditur që u informova për aksidentin tragjik në Rumani që mori jetën e shtatë të rinjve grekë. Qeveria greke dhe ambasada jonë janë në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me autoritetet lokale, duke ofruar çdo mbështetje të mundshme”.
“Në momente të tilla të vështira, së bashku me të gjithë grekët, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për të afërmit e viktimave dhe familjen PAOK”, shtoi ai./ a.jor.