FOKUS – Sllovakia padit BE-në për ndalimin e importeve të gazit rus

BRATISLAVË, 27 janar /ATSH-DPA/ – Sllovakia planifikon të paraqesë një padi në gjykatën më të lartë të Bashkimit Evropian, Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (GJED), për të kundërshtuar ndalimin e importeve të gazit natyror nga Rusia, njoftoi sot kryeministri Robert Fico.
“Rregullorja e BE-së shkel parimin e subsidiaritetit, i cili u lejon të gjitha shteteve anëtare të vendosin vetë për përzierjen e tyre energjetike”, tha Fico, duke e cilësuar këtë rregullore si ”një shkelje të parimeve themelore mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”.
Rregullorja, e miratuar dje nga shumica e 27 vendeve anëtare të BE-së, parashikon që importet e gazit rus të përfundojnë deri në fund të vitit 2027.
Qëllimi i saj është të kufizojë të ardhurat e Rusisë nga eksportet e gazit, si pjesë e përpjekjeve të BE-së për të ushtruar presion ndaj Moskës për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë.
Ajo hyn në fuqi në fillim të shkurtit, pas botimit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Sllovakia dhe Hungaria votuan kundër, ndërsa Bullgaria abstenoi, kur vendimi u miratua sot, me 24 shtete anëtare që votuan pro.
Hungaria ka sinjalizuar gjithashtu se do të ndërmarrë veprime ligjore.
Kryeministri Viktor Orbán tha më herët se ky hap përbën në fakt një sanksion në terma formalë dhe jo një masë tregtare siç e paraqet Komisioni Evropian.
Në këtë rast, do të kërkohej unanimitet, dhe Hungaria dhe Sllovakia do të kishin pasur mundësinë ta bllokonin vendimin me veto.
Sipas ministres së Ekonomisë, Denisa Sakova, Sllovakia e kishte ulur përdorimin e gazit rus në 33% deri në muajin dhjetor, pasi më parë siguronte pothuajse të gjithë gazin nga Rusia.
Sllovakia, si vend pa dalje në det, nuk ka akses në terminale për gaz të lëngshëm (LNG).
Industria dhe familjet sllovake varen në masë të madhe nga gazi për furnizimin me energji./ /Ad.Ab./ a.jor.