E Hënë, 2 Nëntor 2026

RUMANI – Vdes ish-presidenti, Ion Iliescu që udhëhoqi tranzicionin e tregut të lirë

BUKURESHT, 5 gusht /ATSH-AGERPRES/ – Ish-presidenti rumun Ion Iliescu, i cili udhëhoqi tranzcionin kaotik të vendit nga komunizmi në demokraci, vdiq sot në moshën 95-vjeçare.

Iliescu ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri dhe ishte shtruar në spital në fillim të qershorit në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht.

“Me keqardhje të thellë qeveria njofton ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Rumanisë, Ion Iliescu”, thuhet në një deklaratë qeveritare.

Iliescu ishte presidenti i parë i dalë fitues në zgjedhjet e lira në Rumani dhe shërbeu dy herë, midis viteve 1990-1996 dhe 2000-2004.

Ai u akuzua për krime kundër njerëzimit gjatë revoltës së dhunshme që rrëzoi regjimin komunist të Rumanisë në vitin 1989, por gjithmonë i mohoi akuzat.

I lindur në vitin 1930, në qytetin jugor të Oltenitës, Iliescu studioi inxhinieri në Rusi dhe më vonë u kthye në Rumani, ku u bashkua me Partinë Komuniste.

Pas zgjedhjes së tij si president në vitin 1990 me Partinë Social Demokrate, ai u rizgjodh për një mandat katërvjeçar, por pësoi humbje në vitin 1996.

Iliescu u rikthye në pushtet në vitin 2000 për një mandat të tretë dhe të fundit, gjatë të cilit Rumania iu bashkua NATO-s dhe nisi përpjekjen e saj për anëtarësim në BE. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›