RUSI – Putin akuzon Ukrainën për terrorizëm pas aksidenteve fatale hekurudhore

MOSKË/KIEV, 4 qershor /ATSH-DPA/ – Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi sot Ukrainën për terrorizëm në lidhje me dy aksidente fatale hekurudhore në Rusi gjatë fundjavës.
“Goditja ishte e drejtuar qëllimisht ndaj popullsisë civile”, tha Putin gjatë një seance qeveritare në Moskë.
Ai akuzoi Ukrainën se po kërkon të bllokojë bisedimet për t’i dhënë fund luftës.
Fundjavën e kaluar, dy trena pësuan aksidente në rajonet Kursk dhe Bryansk që kufizohen me Ukrainën, pasi u hodhën në erë ura.
Shtatë persona vdiqën dhe dhjetëra u plagosën në trenin e pasagjerëve që doli nga shinat pranë qytetit të Bryansk.
Ndërsa këto aksidente u diskutuan në detaje, nuk kishte informacion në median ruse në lidhje me sulmet ukrainase ndaj bazave ajrore ushtarake duke përdorur dronë të shënjestruar nga distanca.
Putini hodhi poshtë edhe një herë thirrjet për një armëpushim në luftën me Ukrainën, qoftë për 30 apo për 60 ditë.
“Pse duhet të nxiten duke u lejuar atyre një pushim nga luftimet?” pyeti ai.
Ai mbështeti gjithashtu ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, i cili ka thënë se Rusia duhet të vazhdojë të zhvillojë bisedime me qëllim arritjen e qëllimeve të saj të luftës.
Në Kiev, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ofroi një armëpushim të menjëhershëm që duhet të zgjasë të paktën deri në një takim me Putinin.
Zelensky hodhi poshtë memorandumin e paraqitur nga pala ruse në bisedimet në Stamboll të hënën, në të cilin renditeshin kërkesat për t’i dhënë fund luftës. Ai e quajti atë një ultimatum.
“Kërkesat e Rusisë nuk mund të përmbusheshin, veçanërisht kërkesat e saj territoriale”, tha ai./