E Martë, 3 Nëntor 2026

RUSI – Putin bisedon me aleatët para takimit me Trump

MOSKË, 8 gusht  /ATSH-DPA/ – Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi sot bisedime me aleatët para një samiti të mundshëm me presidentin amerikan Donald Trump mbi luftën në Ukrainë.

Kremlini njoftoi se Putin e informoi presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, dhe homologun e tij kazak, Kassym-Jomart Tokayev, në një bisedë telefonike, lidhur me bisedimet e tij me të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff, të mërkurën në Moskë.

Putin e Witkoff  u shprehën në favor të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila filloi me pushtimin në shkallë të gjerë nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Sipas raportimeve nga Minsku dhe Pekini, presidenti  rus ka biseduar gjithashtu në telefon me liderin bjellorus Aleksandër Lukashenko dhe presidentin kinez Xi Jinping.

As SHBA-ja dhe as Rusia nuk kanë dhënë informacion mbi propozimet që Witkoff paraqiti në Moskë për përfundimin e konfliktit.

Megjithatë, është rënë dakord për zhvillimin e samitit të parë mes liderëve amerikanë dhe rusë që nga viti 2021, i cili mund të mbahet në ditët e ardhshme.

Vendndodhja e takimit nuk është bërë ende e ditur. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›