RUSI – Putin propozon rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta Moskë-Kiev

MOSKË, 11 maj /ATSH-DPA/ – Presidenti rus Vladimir Putin ofroi sot herë në mëngjes rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit pa asnjë parakusht.
Duke folur para gazetarëve në Moskë, Putin tha se bisedimet do të zhvillohen në Stamboll që të enjten.
“Ata që duan vërtet paqe nuk mund të jenë kundër propozimit”, tha Putin, duke folur menjëherë pas një armëpushimi treditor në luftën e Ukrainës që ai e kishte shpallur të skaduar në mënyrë të njëanshme në mesnatë (21:00 GMT të shtunën).
Në komentet e tij, Putin nuk iu drejtua drejtpërdrejt një kërkese nga Ukraina dhe partnerët e saj perëndimorë për një armëpushim 30-ditor pa parakushte.
Putin tha se do të fliste nesër me presidentin turk Recep Tajip Erdogan.
Fillimisht nuk ishte e qartë nëse kjo nënkuptonte të dielën apo të hënën, pasi ai i bëri komentet në orët e para të së dielës.
Dje, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe katër aleatët e tij më të rëndësishëm evropianë i kishin lëshuar një ultimatum Rusisë, duke kërkuar që ajo të zbatonte një armëpushim 30-ditor pa parakushte që do të fillonte të hënën ose do të përballej me sanksione të reja.
Propozimi erdhi gjatë një vizite të përbashkët të nivelit të lartë në Kiev nga kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Keir Starmer dhe kryeministri polak Donald Tusk.
Putin akuzoi përsëri palën ukrainase për sabotimin e përpjekjeve të Moskës për të siguruar një armëpushim. Ai gjithashtu nuk e përjashtoi plotësisht zgjatjen e armëpushimit treditor që e kishte shpallur në mënyrë të njëanshme dhe që kishte skaduar në mesnatë.
Zelensky akuzoi Putinin se vetëm po bënte sikur po respektonte armëpushimin e ditëve të fundit për të festuar 80-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik mbi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore./ a.jor.