E Martë, 3 Nëntor 2026

RUSI – Putini vlerëson përpjekjet e Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i hapur për bisedime

MOSKË, 27 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi sot presidentin e SHBA-së, Donald Trump për përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të përmirësuar marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Kremlinit.

Duke folur në samitin e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik në Minsk, Putini tha se ishte i hapur për bisedime të ardhshme.

“Unë jam gjithmonë i gatshëm të angazhohem në dialog dhe të takohem”, tha ai.

“Megjithatë, çdo takim i tillë do të duhet të përgatitet me kujdes për të arritur progres domethënës”, tha Putini duke sinjalizuar se bisedimet nuk kanë gjasa të zhvillohen në të ardhmen e afërt.

Putini i dha meritën Trump për rigjallërimin e kanaleve diplomatike midis dy kombeve, duke vënë në dukje progresin pavarësisht sfidave të vazhdueshme.

Ndërsa ekzistojnë ende probleme, si Ministritë e Jashtme ashtu edhe Agjencitë e Sigurisë po komunikojnë përsëri, gjë që është thelbësore për luftimin e terrorizmit”, tha Putini.

Lidhur me Ukrainën, Putini përsëriti gatishmërinë e tij për t’u angazhuar në dialog, pavarësisht dallimeve të konsiderueshme midis kërkesave të paraqitura nga Moska dhe Kievi – në negociatat e fundit që synojnë t’i japin fund konfliktit.

Ai u zotua të vazhdojë bisedimet sapo të përfundojnë shkëmbimet e të burgosurve në pritje.

Përpara fitores së tij në zgjedhje, Trump tha se mund t’i jepte fund luftës në Ukrainë brenda 24 orësh. Megjithatë, ai ende nuk ka dhënë rezultate në këtë front. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›