“Rakia është ilaç” në Boboshticë burra e gra ruajnë traditën e pjekjes së rakisë së manit

Boboshtica njihet jo vetëm për mikpritjen, por edhe për rakinë e manit, një nga produktet më karakteristike të zonës. Çdo verë, me pjekjen e manit nga pemët shekullore, banorët i rikthehen kësaj tradite të trashëguar brez pas brezi. Gjatë muajve korrik dhe gusht, kazanët e rakisë vihen në punë, ndërsa sipas banorëve, këtë vit prodhimi pritet të jetë i bollshëm dhe cilësor.
“Me të mund të nxjerrim 20 25 kg. Sot fillova dorë të parë që zihej. Këtë traditë do ta vazhdojmë, do ta ruajmë rakia mund ta lë pesë gjashtë ditë”, u shpreh një banor.
Tradita vazhdon të ruhet nga të moshuarit e fshatit, disa prej të cilëve janë rreth 90 vjeç, por edhe nga gratë, të cilat janë bërë mjeshtre të prodhimit të rakisë së manit. Sipas tyre, kjo raki dallohet për ngjyrën karakteristike dhe vlerësohet edhe për vetitë e saj kurative.
“Shkon dhe 15 mijë lekë”, tha nja banore tjetër.
Prodhimi i rakisë së manit mbetet një element i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore jomateriale të zonës së Korçës. Tradita ruhet kryesisht në Boboshticë dhe Drenovë, ku rakia e manit shërbehet së bashku me reçel si shenjë mikpritjeje për çdo mysafir.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/