Rama: 14% e shqiptarëve marrin pagë minimale, krahasuar me 57% në 2013-n

TIRANË, 27 prill /ATSH/ Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi sot, gjatë një takimi me gra dhe vajza të qarkut Vlorë, se mbështetja për PS-në në zgjedhjet e 11 majit është një mbështetje për zhvillimin, barazinë dhe për vazhdimin e reformave që po transformojnë vendin.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi rolin e grave dhe vajzave si pararojë e fushatës së Partisë Socialiste, duke theksuar se angazhimi i tyre është një tregues i fuqisë dhe përkushtimit të kësaj force politike në çdo cep të vendit.
“Çfarë shikoni këtu në këtë sallë nuk janë gra dhe vajza të mbledhura për të duartrokitur, por janë trupa që udhëheq betejën tonë për të fituar mendjen dhe zemrën e njerëzve në të gjithë qarkun e Vlorës. Dhe kjo nuk i përjashton aspak burrat dhe djemtë, por ama ky është superioriteti ynë, sepse vetëm me gratë e pararojës mbushim më shumë një sallë si kjo, sesa të tjerët me të gjithë mbështetësit e tyre”, tha Rama.
Ai iu referua edhe sondazheve publike, duke theksuar se PS vijon të gëzojë mbështetjen e shumicës së shqiptarëve.
“Bëjnë sondazhe pasqyrë më pasqyrë dhe moçal më moçal dhe del që ne jemi shumica dërrmuese e shqiptarëve që na beson dhe do të na votojë. Edhe një pjesë e atyre që nuk do të na votojnë, kur i pyet, thonë: fiton PS”, deklaroi ai.
Rama tha se megjithë kohëzgjatjen në pushtet, qeveria që ai drejton nuk është konsumuar, por përkundrazi, ka prodhuar rezultate konkrete në ekonomi dhe mirëqenie.
“Në Gjermani, që është demokraci shumë e zhvilluar, katër mandate kanë ndodhur dhe jo një herë. Në ato moçale nuk flitet për Shqipërinë reale. Nuk keni për ta dëgjuar që prodhimi kombëtar në vitin 2013 ishte më pak se 10 miliardë euro, ndërsa sot është 25 miliardë euro, dhe projeksioni ynë është që në vitin 2030 të arrijë në 35 miliardë euro. Të ardhurat për frymë i gjetëm 3 300 dollarë, sot janë 10 400 dollarë, dhe synojmë t’i çojmë në 15 000 dollarë”, tha ai.
Ai solli në vëmendje edhe të dhëna konkrete për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe pagave.
“Kur morëm detyrën, 57% e atyre që punonin jetonin me pagën minimale. Sot vetëm 14% janë në atë nivel. Mësuesit sot kanë një pagë mesatare prej 950 eurosh, të punësuarit e sektorit publik e privat kanë pagë mesatare 848 euro. Mbi çerek milion bebe kanë marrë Bonusin e Bebes, dhe nënat e reja e dinë këtë, sepse e kanë përjetuar”, shtoi Rama
Sa i përket qarkut të Vlorës, Rama tha se investimet në infrastrukturën rurale janë më të mëdha se kurrë më parë.
“Sot në qarkun e Vlorës janë investuar më shumë se në të gjitha vitet e marra së bashku dhe 95% e banorëve të zonave rurale kanë akses në infrastrukturë të rindërtuar”, theksoi Rama.
Në fund të fjalës së tij, Rama theksoi se rezultatet e qeverisë janë të prekshme në jetën e përditshme të qytetarëve, por jo gjithmonë të pasqyruara në mediet tradicionale apo debatin politik.
“Shqipëria e fakteve nuk është në ekrane, në portale, në kënetën politike e mediatike të Shqipërisë,” përfundoi ai.
/r.e/