E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: 21 Janari, plagë e hapur e drejtësisë, SPAK-u duhet të veprojë

Kryeministri Edi Rama përkujtoi të hënën 21 janarin, 15 vjet pas ngjarjeve tragjike që çuan në vrasjen e katër protestuesve të pafajshëm. Në podcastin e tij “Flasim”, Rama e cilësoi këtë ngjarje si një “krim shtetëror” dhe një “plagë të hapur për moralin e drejtësisë në Shqipëri”.

“Kjo ishte edhe java e trishtë e 21 janarit, 15 vite pas krimit shtetëror, vrasjes së katër burrave të pafajshëm protestues, tërësisht paqësor, me pushkët e shtetit në bulevard dhe përsëri 21 janari erdhi me hijen përqeshëse të padrejtësisë. Kjo mbeti një plagë e hapur, jo thjesht për familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, por kjo mbeti një plagë e hapur për moralin e drejtësisë në Shqipëri dhe për themelet e drejtësisë së shtetit shqiptar. Ne përsëri u mblodhëm dhe e bëmë ritin e nderimit në kujtim të katër Dëshmorëve të Atdheut në praninë e familjarëve të tyre, të cilët presin, presin, presin drejtësi”, u shpreh Rama.

Ai gjithashtu bëri thirrje për SPAK-un, institucionin e prokurorisë së posaçme, që të vijojë punën për zbardhjen e këtij krimi, duke e konsideruar një “njollë të pashlyeshme për drejtësinë shqiptare” nëse nuk veprohet.

“Dhe 21 janari është në llojin e atyre krimeve që unë i kam thënë qysh krye të herës: Janë krime shtetërore për të cilat drejtësia vonon, por asnjëherë nuk harron. Krimet shtetërore duan kohë të zbardhën, por koha nuk i zhbën dot nga kujtesa. dhe nga tryeza e njerëzve të drejtësisë. Uroj, shpresoj që SPAK-u, i cili prej gjashtë vjetësh ka marrë jetë dhe gëzon mbështetjen e padiskutueshme dhe ka pasur gjatë gjithë kohës inkurajimet më të sinqerta për të shkuar përpara, për të luftuar për të vendosur drejtësinë përfundimisht në binarët e rinj të barazisë para ligjit për të gjithë, – të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim, që është një njollë për drejtësinë shqiptare dhe nuk duhet lejuar që të bëhet njollë, sepse do të jetë e pashlyshme, për vetë SPAK”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›