Projekti për transformimin e “Ismail Qemalit”, Rama: Prioritet rindërtimi i shkollave të Shkodrës

TIRANË, 25 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste ishte sot në Shkodër në prezantimin e projektit të rilindjes së plotë të shkollës “Ismail Qemali”.
Ndërsa vlerësoi projektin e transformimit të kësaj shkolle, Rama tha se ajo do të bëhet një institucion arsimor i hapur për komunitetin me mjedise të përshtatshme për edukim, arsimim në kushte bashkëkohore dhe zhvillim të aktiviteteve të ndryshme në shërbim të nxënësve.
Rama solli në vëmendje faktin se kjo shkollë është themeluar pak muaj pas Pavarësisë së Shqipërisë.
“Kjo është një shkollë e cila ka lindur nga një aspiratë e madhe dhe përkushtim i posaçëm i njerëzve të ditur të këtij qyteti që i kanë dhënë Shkodrës, përpara shumë qyteteve dhe vendeve të tjera të Shqipërisë, një dritë dijeje, dashurie për kulturën që për fat të keq ka ardhur duke u zbehur dhe duke u tretur posaçërisht në dekadat e fundit”, tha Rama.
Duke folur për gjendjen aktuale në të cilën ndodhet shkolla, Rama u shpreh se “është absolutisht e pabesueshme dhe është unikale që një shkollë me këtë histori dhe me këtë prejardhje të katandiset në këtë situatë”.
“Kur hyn këtu nuk gjen asnjë gjë që të thotë se këtu është vendosur një gur themeltar i historisë së qytetit, i historisë shqiptare të arsimit, të traditës së dijes në Shkodër dhe në gjithë Shqipërinë. Më vjen jashtëzakonisht mirë që pas kaq shumë vitesh dekadencë në të gjitha aspektet, por posaçërisht në infrastrukturën arsimore ku Shkodra mbeti, u realizua ky projekt”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi faktin se kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci një nga gjërat e para që ka bërë është se i ka dhënë prioritet projekteve për rindërtimin e shkollave të Shkodrës.
“Faktikisht sot për të gjetur një shkollë si kjo në qytete të mëdha të Shqipërisë duhet të kërkosh shumë apo t’i referohesh arkivave se nuk ka më. Benet Beci një nga gjërat e para që ka bërë është se i ka dhënë prioritet projekteve për shkollat e Shkodrës, gjë që ka sjellë si rezultat mbështetjen tonë për një sërë shkollash”, tha Rama.
Rama më tej tha se, “gjëja e bukur dhe shumë e veçantë që përkon me historinë e shkollës është fakti që sot ne jo vetëm nisim një proces transformimi rrënjësor të shkollës, por e nisim mbështetur mbi një projekt shumë të bukur që është donacion i një studioje ndër më prestigjiozet sot të Evropës, e cila prej disa vitesh punon edhe në Shqipëri”.
“Nuk i di rrethanat ekzakte, por më thanë që ishin lidhur me Benetin për të bërë një dhuratë për fëmijët e shkollës “Ismail Qemali”, por edhe një ogur shumë i mirë për të nesërmen e shkollës, për historinë e saj, për rrënjët e saj dhe për aq shumë breza që kjo shkollë ka edukuar, meritonte një projekt shumë të veçantë siç është ky projekt, që jam i bindur do të jetë një nga shembujt më të bukur të arsimit të rilindur në Republikën e Shqipërisë”, tha Rama.
Kryeministri Rama njoftoi se përfundimi i shkollës është parashikuar të ndodh brenda një afati kohor prej 18 muajsh.
1 nga 9/r.e/a.f/