Rama: 90% e familjeve shqiptare kanë përfituar të paktën një herë nga dërgesat e diasporës

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Michigan, vlerësoi kontributin e diasporës në zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve shqiptare.
Rama tha se rreth 90% e familjeve shqiptare kanë përfituar të paktën një herë nga dërgesat e emigrantëve.
“9 në 10 shqiptarë janë shkolluar, kanë ngritur çatinë mbi kokë apo kanë përmirësuar kushtet e tyre të jetesës falë diasporës, falë jush dhe të gjithë atyre si ju që të paktën njëherë, por përgjithësisht shumë më tepër se njëherë, kanë dërguar një pjesë të mundit të tyre atje në Shqipëri”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se gjatë samitit të parë të diasporës u synua që marrëdhënia me shqiptarët jashtë vendit të shkonte përtej nostalgjisë, kujtimeve, dashurisë dhe lidhjeve familjare.
“Në samitin e parë ne thamë se donim diçka tjetër dhe donim të shkonim përtej marrëdhënies së nostalgjisë, të kujtimeve, të dashurisë dhe të lidhjeve të pandashme familjare mes njerëzve jashtë dhe atyre në Shqipëri”, tha Rama.
Sipas tij, diaspora nuk duhet të shihet thjesht si një burim financiar për atdheun, por si një rrjet qytetarësh, dijesh dhe mundësish.
“Se në fund të ditës diaspora nuk është një llogari bankare e atdheut, por është përvojë, është rrjet jo vetëm zemrash, por dhe mendjesh. Është qytetari dhe fuqi e madhe”, theksoi kryeministri.
Rama u ndal edhe te mekanizmat e rinj të krijuar gjatë dekadës së fundit për forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe institucioneve shqiptare.
Ai përmendi sistemin e ndërveprimit dixhital e-Albania, i cili, u shpreh Rama, u mundëson shqiptarëve jashtë vendit të aksesojnë shërbimet e institucioneve dhe zyrave shqiptare pa qenë e nevojshme të kthehen fizikisht në Shqipëri.
“Gjatë këtyre 10 viteve kanë lindur mekanizma të rinj, të cilët sigurisht kanë nevojën të forcohen dhe përmirësohen. Në këto 10 vjet janë krijuar edhe kushtet që, përmes sistemit tonë të ndërveprimit dixhital e-Albania, njerëzit jashtë të mund ta aksesojnë Shqipërinë e institucioneve dhe zyrave pa pasur nevojë që të kthehen, por vetëm përmes pasqyrës dixhitale të celularit”, deklaroi Rama.
Në vijim, kryeministri u shpreh se ndryshimet e ndërmarra gjatë dekadës së fundit kanë dhënë rezultate dhe kanë krijuar premisa për zhvillime të mëtejshme.
“Sot, pas këtyre 10 viteve, unë vij këtu tek ju me bindjen se çfarë kemi nisur asokohe ka dhënë fryte dhe ka krijuar premisat për të dhënë akoma më shumë fryte në të nesërmen”, tha ai.
Rama theksoi se Shqipëria sot është shumë ndryshe nga ajo e një dekade më parë, por shtoi se krahasimi me të kaluarën nuk është më i mjaftueshëm, pasi pritshmëritë e qytetarëve janë rritur.
“Shqipëria sot është krejt tjetër nga ajo që ishte 10 vjet më parë në të gjitha aspektet. Por tani më nuk mjafton krahasimi me si ishte 10 vjet më parë, sepse tani gjithkush kërkon shumë më tepër, jo në 10 vitet e ardhshme, por nesër, pasnesër, në muajin e ardhshëm, vitin e ardhshëm dhe kështu me radhë”, theksoi kryeministri.
/gj.m/j.p/