E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Do doja t’i dëgjoja kundërshtitë përballë, demokracia është mosdakordësi që përjashton urrejtjen

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Michigan, komentoi edhe thirrjet e disa anëtarëve të këtij komuniteti për të protestuar me rastin e vizitës së tij në SHBA.

“Përpara se të vija këtu dëgjova që disa shqiptarë të këtij komuniteti kishin bërë thirrje për të protestuar me rastin e vizitës time. Natyrisht që është e drejta e tyre, por do të kisha dëshiruar që të ishin këtu edhe ata, përballë meje, që kundërshtitë t’i thoshin me zë dhe përgjigjet t’i dëgjonin me zë”, u shpreh Rama.

Kryeministri iu referua më tej bashkëjetesës demokratike dhe mënyrës se si duhet të shprehen kundërshtitë në një shoqëri pluraliste.

“Ndër shumë fjalët e mençura të urtësisë njerëzore, më pëlqen shumë edhe ajo që thotë se cilësia e bashkëjetesës demokratike nuk përcaktohet nga sa shpesh ne biem dakord, por nga mënyra se si nuk biem dakord”, tha ai.

Rama theksoi se kundërshtitë politike dhe shoqërore janë pjesë e demokracisë, por duhet të shoqërohen me respekt dhe të mos shndërrohen në urrejtje.

“Mund të mos biesh fare dakord dhe mund të luftosh me fjalë për të mbrojtur pozicionin tënd dhe tjetri pozicionin e vet. Por tjetër është ta bësh këtë me respekt për tjetrin dhe tjetër është ta bësh këtë duke u kapur për fyti me tjetrin”, deklaroi kryeministri.

Sipas Ramës, demokracia nënkupton përballje dhe mosdakordësi, por përjashton urrejtjen dhe përdorimin e çdo mjeti në emër të qëllimit.

“Demokracia është një mosdakordësi që përjashton urrejtjen, një përballje që nënkupton gjithmonë respektin dhe një luftë ku qëllimi nuk justifikon çdo mjet”, u shpreh ai.

Rama theksoi se ndërtimi i një shoqërie ku demokracia funksionon për të gjithë kërkon një proces më të gjatë nga sa ishte imagjinuar.

“Gjithsesi, kjo e demokracisë është një rrugë shumë më e gjatë sesa ne e kishim imagjinuar në krye të herës, se nuk mjafton vetëm të jesh i lirë për të pasur një shoqëri ku demokracia funksionon për të gjithë”, theksoi kryeministri.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›