E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: ADS, një zgjidhje teknologjike që mund të eksportohet si modul në tregjet ndërkombëtare

TIRANË, 29 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në prezantimin e “Albanian Digital Solution” Sh.A., një tjetër iniciativë që synon modernizimin e shërbimeve dhe forcimin e inovacionit teknologjik në vend.

Rama tha se qeveria shqiptare synon ta kthejë kompaninë shtetërore ADS në një “superfuqi” të shërbimeve publike digjitale, pa hyrë në konkurrencë me sektorin privat.

Rama deklaroi se roli i kompanisë do të jetë i përqendruar tek shërbimet publike, ndërsa bizneset private duhet të “riimagjinojnë” pozicionin e tyre në treg dhe të përshtaten me zhvillimet e reja teknologjike.

Sipas Ramës, Shqipëria renditet shumë mirë në klasifikimet ndërkombëtare për qeverisjen elektronike dhe shërbimet publike digjitale, por sektori privat mbetet ende i paintegruar në këtë transformim.

“Ndërkohë, qeveria duke marrë këtë rrugë do të kthejë sytë e kompanive nga sektori privat, pasi ADS patjetër që do të bëhet një superfuqi në treg, por do të jetë një superfuqi e përqendruar tek shërbimet publike. Nuk do të jetë një kompani që do të synojë të hyjë dhe në sektorin privat i cili sot është në kontrast dramatik me sektorin publik në këtë fushë, ku Shqipëria saç shkëlqen në të gjitha klasifikime ndërkombëtare për shërbimet publike digjitale dhe për qeverisjen elektronike, aq edhe nxin kur vjen puna te sipërmarrja dhe sektori privat janë të familjarizuar dhe integruar në botën e re të qeverisë digjitale. Kompanitë private duhet të riimagjinojnë pozicionin e tyre në treg dhe të rikonceptojnë rrugën e të ardhmes së tyre, ashtu sikundër ne riimagjinuam rrugën e të ardhmes së shërbimeve publike përmes krijimit të kësaj kompanie”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se përmes kësaj kompanie shteti synon të krijojë zgjidhje teknologjike që më pas mund të eksportohen si module apo prototipe në tregjet ndërkombëtare. Rama tha se Shqipëria synon ta aplikojë inteligjencën artificiale në të gjithë sistemin e prokurimeve publike.

“Një tjetër aspekt i rëndësishëm që përbën një favor për këtë zgjidhje është edhe kapaciteti që do të krijojë në këtë mënyrë shteti për të pasur përmes kësaj kompanie dhe zgjidhje të cilat mund të kthehen më pas në module apo në prototipe që mund të eksportohen. Ministrja e preku zgjedhjen për të cilën po punohet intensivisht për modelin inovativ të prokurimeve publike me inteligjencë artificiale. Inteligjenca artificiale ka hyrë në prokurimet publike kudo, por në segmente te caktuara të procesit, ndërkohë që e jona është përpjekja e parë që synon të mbulojë me IA gjithë procesin.

“Në këtë përpjekje jemi të angazhuar por edhe të koordinuar me shumë shtete, me agjencitë apo strukturat që merren me shërbimet dhe me qeverisjen elektronike në shumë shtete. Është një përpjekje që ne besojmë shumë se do t’ia dalim me sukses ta kthejmë në realitet dhe duke e kthyer në realitet do të thotë të disponojmë një produkt të prodhuar në vendin tonë i cili të jetë i eksportueshëm”, tha Rama.

Kreu i qeverisë e lidhi këtë qasje edhe me modelin e ri të rolit të shtetit në ekonomi, duke përmendur Korporatën Shqiptare të Investimeve si shembull të suksesit të kësaj strategjie. Sipas Ramës, Korporata ka krijuar një portofol me kapacitet mbi gjysmë miliard euro, duke përdorur pronat publike në funksion të zhvillimit ekonomik dhe interesit të shtetit.

“Kjo kompani shkon me të njëjtën linjë të një qasje të re të qeverisë, e cila është një qasje që ka ardhur si rezultat i një kalimi në një fazë tërësisht të re të vetë Shqipërisë dhe shtetit shqiptar. Dua të them se qeveria e ka parë të udhës sepse e ka parë të krijohen kushtet për t’i dhënë më tepër theks forcave që mund të vërë në terrenin e ekonomisë sektori publik. Korporata Shqiptare e Investimeve është një realitet sot që flet qartësisht për epërsinë e kësaj qasje në raport me atë të mëparshmen që ishte e kushtëzuar nga koha dhe mekanizmat e dobët që kishim në dispozicion. Koorporata Shqiptare e Investimeve ka krijuar një portofol sot me një kapacitet mbi gjysmë miliard euro që do të shkojnë në interes të shtetit shqiptar, duke mos bërë asgjë tjetër përveçse pronat publike duke i vënë në shërbim të zhvillimit për interesa të shtetit. Jo më kurdo dhënie të pronës publike për hiç asgjë në emër të zhvillimit”, tha Rama.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›