Rama: Algoritmi krijoi narrativën e trilluar të pushtimit izraelit të bregdetit shqiptar

TIRANË, 25 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, në fjalën adresuar Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, solli në vëmendje ndikimin e algoritmit në të ashtuquajturin “revolucion i flamingove”, në Shqipëri.
“Kishim narrativën e trilluar të një pushtimi izraelit të bregdetit shqiptar. Një pushtim që kurrë nuk ndodhi. U fabrikua, u personalizua e u përcoll përmes zërave, faqeve e kanaleve të cilave qytetarët u besonin tashmë. Një qytetar dëgjoi një histori të një provokimi fetar, ndërsa tjetri përftoi konspiracionin e një pushtimi të huaj”, shtoi Rama.
Sipas tij, “trillime të ndryshme hyjnë në botë të ndryshme emocionale, të gjitha në shërbim të së njëjtës gënjeshtre strategjike dhe pasojat ishin reale”.
Rama theksoi se qytetarët kishin arsyet e tyre për të protestuar, por befas nisën të protestonin edhe kundër një armiku fantazmë.
“Shprehja antisemite hyn në ligjërimin tonë publik për herë të parë ndonjëherë. Mos harroni, Shqipëria është i vetmi vend në Europë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa në fillim të saj. Frika u shndërrua në zemëratë, zemërata u shndërrua në mobilizim dhe trillimi u shndërrua në realitet politik dhe nuk ishte një eksperiment laboratorik”, tha Rama.
Rama theksoi se ky nuk ishte film fantastiko-shkencor, por ishte thjesht një e martë në Tiranë.
“Algoritmi nuk shpiku objektivin. Ishte një aktor njerëzor që e bëri këtë. Algoritmi nuk e zhvilloi, nuk e ndezi urrejtjen, por zbuloi si ta aktivizonte urrejtjen tonë. Ky është mashtrim sistematik si shërbim”, shtoi Rama.
Po ashtu, Rama theksoi se ndërhyrjet në zgjedhje nuk kërkojnë më thjesht një stacion televiziv apo një propagandë që i përsëritet të gjithë popullatës.
“Tashmë mund të veprojë me vendosmërinë e secilit prej votuesit. Kur kjo ndodh demokracia nuk humbet thjesht një debat apo thjesht një radhë zgjedhjesh. Humbet terrenin e përbashkët mbi të cilin bëhet i mundur debati dhe humb edhe mundësinë për ta pasur atë. Sovraniteti nuk gërryhet më në kufij. Në shekullin XX sovraniteti nënkuptonte kontrollin mbi tokën, ujërat territoriale dhe hapësirën kombëtare ajrore. Sot në Europë ne po vrapojmë si të marrë për të shtuar gjithmonë e më shumë, për të hedhur gjithmonë e më shumë para që nuk i kemi për të mbrojtur tokat tona, për të mbrojtur qiejt tanë”, tha Rama.
Por, sipas Kryeministrit, po harrohet që në shekullin që jetojmë duhet që kjo të nënkuptojë edhe aftësinë e një shoqërie të lirë për të mbrojtur kushtet në të cilat qytetarët e tyre formojnë opinionin e vet. Pa këtë aftësi, Rama tha se “sovraniteti mbi tokën mbi qiejtë bëhet thjesht një iluzion”.
/a.f/r.e/