E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Anëtarësimi në BE, garanci për barazinë para ligjit

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kryeministri e njëherazi kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, gjatë një takimi sot në Durrës me të rinjtë ku u prezantua skuadra e re për Shqipërinë në BE 2030, u shpreh se vendi ynë është në një moment vendimtar për çeljen e negociatave dhe integrimin në familjen evropiane deri në vitin 2030.

Kryeministri Rama nënvizoi sërish rëndësinë që ka integrimi në familjen evropiane për një vend si Shqipëria, që ndër vite dhe dekada është përballur me diskriminim.

“Për ne të qenurit në BE është fundi i një historie shumë të gjatë, me shekuj, përgjatë të cilës ne nuk kemi qenë asnjëherë në gjendje të zgjedhim se ku duam të jemi dhe gjithmonë kemi pësuar vendimet, presionin shtypës të të tjerëve, më të mëdhenj se ne. Për një shekull të tërë kemi kaluar nga një perandori në një monarki, në diktaturë dhe asnjëherë nuk ka qenë në mundësinë tonë që të zgjedhim, ndërkohë që në krye të herës ata që kanë luftuar për Shqipërinë kanë dashur që Shqipëria të jetë në Evropë dhe t’i përkasë Perëndimit. Siç thoshte Naim Frashëri: “Dielli për ne lind andej nga perëndon””, cilësoi Rama.

Kryeministri theksoi në fjalën e tij se Shqipëria nuk ka qenë aty ku duhet të jetë për shkak të gjithë vështirësive dhe tmerreve që kanë kaluar prindërit tanë, prindërit e prindërve tanë, ndërkohë që, sipas tij, ky është momenti që të kurorëzohet ajo që është zgjedhja e parë e lirë e shqiptarëve që kur përmbysën komunizmin dhe u bashkuan në thirrjen: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

“Kjo është mundësia për ne, për popullin shqiptar që të vendosë me zgjedhjen e vet të lirë se ku do të jetë dhe nëse ne mbyllim këtë histori, ne mbyllim edhe të gjitha ato burime të asaj historie që na kanë vendosur në një pozitë të diskriminuar në raport me të tjerët, të një populli që është nëpërkëmbur, poshtëruar më shumë sesa një herë, jo thjesht për shkakun e të huajve, por edhe të të vetëve. Mbase më shumë për shkakun e të vetëve, se të të huajve, sepse nuk kemi qenë dot në gjendje të pozicionohemi aty mund të jemi të garantuar. Dhe pozicionimi në BE bën që disa gjëra shumë të thjeshta në dukje, por jo aq të lehta sa duken për të qenë të garantuara si liria individuale, barazia para ligjit, normat e bashkëjetesës demokratike të jenë të garantuara njëherë e mirë, pavarësisht se kush qeveris në Tiranë”, pohoi Rama.

Kreu i ekzekutivit nënvizoi faktin se rruga e Shqipërisë për në BE kalon nga pavarësia e pushteteve dhe sidomos pushtetit të drejtësisë së pavarur, që ka qenë, sipas Ramës, vullnet i tij dhe qeverisë socialiste për të vendosur një kufi të qartë.

“BE është hapësira që neve na garanton përpara ligjit dhe sot është për herë të parë një ushtrim që ne po përpiqemi ta bëjmë, sepse për herë të parë në Shqipëri njerëz të lidhur me pushtetin politik shkojnë dhe hetohen dhe gjykohen nga gjykatës të pavarur. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë tonë, dhe pavarësisht se ne kemi hyrë në këtë proces falë vullnetit të PS dhe askujt tjetër, se po të mos ishte kjo parti dhe ky vizion, vendosmëri e jona për ta bërë Shqipërinë anëtare të BE-së që kalon përmes vendosjes së një kufiri të qartë midis pushteteve dhe pavarësisë së pushtetit të drejtësisë, këtu kjo gjë nuk do ndodhte kurrë”, tha Rama.

“Prandaj, shtoi ai, gjithë përpjekjet që bëjnë kundërshtarët tanë, kundërshtarët tanë dhe të gjithë ata që bëjnë papagallin e tyre që “Jo po sa njerëz keni në burg” Po Lulin e keni dëgjuar kur thotë ‘’ O Rame’’ se është i madh fare. Për vete tek pull si makinë policie pa sirenë, ‘’ku i ke shokët’’ thotë. Të gjitha janë të mjaftueshme për të kuptuar se sa mendjelehtë dhe sa qesharakë janë, se mendojnë se duke iu thënë shqiptarëve që shiko se sa vetë vajtën në burg e sa vetë janë për të shkuar në burg, etj, shqiptarët do mendojnë se ky është një fakt që ne të ulim kokën. Në fakt, e kundërta është e vërtetë, ne jemi kryelartë për faktin që ne me vullnetin tonë i krijuam kushtet këtij vendi dhe këtij populli që të shikojnë dhe këtë pjesë që nuk e kishin parë kurrë në historinë e tyre, pjesën e një drejtësie që bën punën e vet dhe imagjinoni, sikur reforma në drejtësi të ishte një reformë që të mos prodhonte një gjë të tillë”.

“Imagjinoni, sot do thoshin “do çohemi në revolucion se këtu kjo reforma qenka vetëm për kundërshtarët’’, ndërkohë që reforma në drejtësi nuk është për kundërshtarët, reforma në drejtësi është për shqiptarët; ndërkohë që gjithë këto procese që janë procese transformuese për Shqipërinë, janë procese që janë në radhë të parë për shqiptarët, por mbi të gjithë shqiptarët, për gjithë gjeneratën tuaj që të mos jetojë nesër në kushtet dhe me vështirësitë që kalon sot gjenerata e prindërve tuaj, pavarësisht se jetojmë në një vend të lirë dhe demokratik, por vështirësitë e krijuara nga mungesa e drejtësisë kanë qenë të atilla që i bënë shqiptarët pa shpresë. Sot, nëse ka kaq shumë shpresë dhe nëse ka kaq shumë mundësi që ne të bëhemi anëtarë të BE, kjo vjen edhe për këtë fakt, por nga ana tjetër, BE nuk është thjeshtë një çështje lirish dhe të drejtash të garantuara, është dhe një çështje dinjiteti të barabartë, jo më në raport me historinë tonë apo në raport me vetveten, por në raport me gjithë të tjerët”, tha Rama.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›