Rama: Arsyeja e rezultatit me rritje në njësinë 3 në Tiranë janë gratë

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim në asamblenë e Partisë Socialiste, në njësinë 3 në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, Rama vlerësoi angazhimin e strukturave të Partisë Socialiste dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të grave.
Kryeministri iu referua një raportimi të Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi sipas të cilit pjesëmarrja e grave në organizatat socialiste është rritur nga 24% në 33%.
“Ndërkohë që këtu, në këtë njësi, unë mendoj që arsyeja kryesore e rezultatit me rritje është fakti që këtu janë 53% gra”, tha Rama.
Rama gjithashtu theksoi se kjo rritje e përfaqësimit të grave ka ndikuar pozitivisht edhe në votat e shumicës së burrave.
“E patë Dibrën? M’u hodhën në fyt të gjithë ata: “Si i thua ti çyryk burrave të Dibrës? Po ta tregojnë ty burrat e Dibrës!” Dibra u bë si të ishte Vlora. Nuk e di, për pak vota, nuk e di ekzaktësisht sa, por mund të merrnim mandatin e katërt. Pse? Sepse burrat, shumica, shkuan mbrapa grave”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se Partia Socialiste është oqean, nuk është lumë, përrua apo liqen.
“Kështu që unë ndihem vërtet shumë mirë në këto takime, sepse këto takime më japin shumë energji dhe më kënaqin shumë që flas me ju. Do të isha shumë i lumtur të kisha mundësi të bëja më shumë takime të tilla, por këto janë mundësitë”, tha Rama.
Në përfundim, Rama bëri thirrje më shumë komunikim dhe angazhim nga deputetët dhe delegatët, duke i inkurajuar ata të flasin dhe të dëgjojnë më shumë nga baza e partisë.
/m.q/j.p/