Rama: Balluku s’ka akuzë për korrupsion, hetimet mund të vazhdojnë

TIRANË, 13 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në reagimet e tyre ndërkombëtarët flasin për domosdoshmërinë e vazhdimit të luftës kundër korrupsionit.
I pyetur nga gazetarët mbi qëndrimet e disa ambasadave pas vendimit të Kuvendit për imunitetin e deputetes Belinda Balluku, Rama u shpreh se deklaratat nuk flasin atë që thuhet në komentet që u bëhen atyre.
Por sipas tij, deklaratat flasin për domosdoshmërinë që të vazhdohet hetimi dhe lufta kundër korrupsionit.
Rama theksoi se nuk shikon asnjë problem te kjo pjesë dhe se është 100% i linjëzuar me çfarë shkruhet në deklaratë për parimet.
“Unë ato i lexoj, besoj, në mënyrën e duhur sepse ndryshe nga ju dhe ata që i lexojnë dhe komentojnë krejt ndryshe, i përputh me komunikimet e drejtpërdrejta që kam me subjektet që i kanë nxjerrë ato deklarata. Kemi pasur patjetër debat lidhur me çështjen, ka qenë shumë konstruktiv”, theksoi Rama.
Për rastin konkret, Kryeministri përsëriti qëndrimin e tij se nuk ka asnjë kusht për të ngritur dorën dhe arrestuar një person që nuk akuzohet për korrupsion në radhë të parë.
“Nuk është parlamenti noteri i prokurorisë, por ka të drejtën të shikojë nëse përmbushen apo jo kushtet, pa hyrë në meritën e çështjes. Nuk ka akuzë për korrupsion dhe nuk përmbushet asnjëra nga kushtet që të merret ajo masë”, theksoi Rama.
Sipas tij, “hetimet mund të vazhdojnë”.
Ndërkohë lidhur me ecurinë e procesit të integrimit në BE dhe ndikimin e votimit të djeshëm në këtë çështje, Rama u shpreh se flet mbi bazën e fakteve dhe komunikimeve që ka sot dhe jo se çfarë do të ndodhi në të ardhmen.
“Sot kemi këtë situatë. Kemi një diskutim që ka ndodhur që nuk e mohoj, por që ka qenë plotësisht konstruktiv dhe kemi një rrugë ku nuk shohim të ketë dalë dikush dhe të ketë thënë për këtë arsye nuk ecim dot para”, tha Rama.
Kreu i Ekzekutivit sqaroi se çdo gjë që ka të bëjë me këtë proces është punë e përditshme.
“Nëse do të ishte përmbajtja e atyre deklaratave e ngjashme me jehonën e deformuar që ju dha, do t’ju thosha që kemi një problem, por deklaratat do ta thoshin vetë”, tha Kryeministri Rama. /a.g/