E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Editoriali me Vuçiç nuk nënkupton dorëheqje nga procesi i anëtarësimit në BE

TIRANË, 13 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se editoriali i publikuar së fundmi së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ku propozohet një qasje e re për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, është një hap drejt debatit të hapur dhe reflektimit për anëtarësimin e vendeve të rajonit në BE.

Gjatë një konference për shtyp, Rama foli për reagimet ndaj editorialit dhe për sfidat e procesit të zgjerimit.

“Është për të ardhur keq, por mua nuk më vjen keq të them të drejtën për shoqatën e “molotovarëve” që ju e quani PD. Ata janë në një botë tjetër komplet, nuk kanë lidhje fare me botën e sotme të marrëdhënieve ndërkombëtare, të punës për tu anëtarësuar në BE, të debateve të brendshme e të jashtme, etj. Por një gjë është e sigurt: unë kam qenë zëri i parë, jo sot, por disa vite më parë, që është ngritur, për një qasje ndryshe ndaj anëtarësimit. Nuk kam thënë ndonjëherë që editoriali i mallkuar; nuk po i vë emra atyre që në Kosovë apo Shqipëri e kanë mallkuar. Nuk thotë askund dhe nuk prezumon askund dorëheqje nga anëtarësimi në BE, përkundrazi. Por natyrisht kjo është një temë që kërkon pak thellim për të kuptuar për çfarë flasim”, tha Rama.

Ai theksoi se Bashkimi Europian, përkundër qëllimeve të tij për zgjerim, përballet me sfida të brendshme që e bëjnë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor të ndërlikuar.

Rama shpjegoi se disa vende anëtare nuk kanë kapacitetin për të përballuar vendimet e fundit dhe për të argumentuar në mënyrë bindëse përballë opinionit publik, i cili shpesh shfaq skepticizëm ndaj zgjerimit.

Ai shtoi se, edhe nëse disa vende nuk janë të përgatitura në kohën e duhur, procesi nuk duhet të mbetet peng i kësaj gjendjeje.

“Dhe në mënyrë të përsëritur unë kam thënë që Bashkimi Europian, vendet anëtare të BE-së, dhe sidomos disa nga ato, nuk e kanë kapacitetin që të përballojnë momentin e fundit. Për të dalë përpara popujve të tyre dhe për të thënë do marrim vende të tjera. Këto vende duhet të jenë gati, të argumentojnë dhe të përballojnë opinionet publike që janë acide ndaj zgjerimit. Ajo që mund të ndodhë është që të gjitha vendet të bëhen gati, dhe papritur, 2-3 vende që dihet kush janë, mund të mos e gjejnë këtë kapacitet, që do të thotë që procesi mund të mbetet peng i këtij fakti. Plus, dinamika e BE-së është shumë e paparashikueshme për shkak të dinamikave të brendshme politike”, deklaroi Rama.

Rama kujtoi edhe sfidat e zgjedhjeve në Francë.

“Në 2027-ën ka zgjedhje në Francë. Franca është vend kyç. Dhe Franca, e ratifikon anëtarësimin e një vendi të ri në BE, jo si të tjerët, por me 2/3 e Parlamentit, ose me referendum popullor. Sic e shihni, Franca për herë të parë ndodhet në kushtet që nuk bën dot qeveri të shumicës për shkak të fragmentimit të parlamentit. Plus nuk dihet qasja e presidentit të ri që do të zgjidhet. Dhe nuk mund të presim që gjithçka të bëhet fakt pa punuar në këtë drejtim. Kur unë flisja në fillim, askush nuk e përkrahu këtë gjë. Sot, që flasim, janë jo pak që e shikojnë me interes këtë qasje”, u shpreh ai

Sa i përket “dëgjuesve të molotovarit”, Rama tha ata mund të pyesin në Berlin për këtë iniciativë.

“Sa i përket dëgjuesve së molotovarëve, që ata kanë filluar në emër të Berlinit, le të shkojnë të flasin në Berlin për këtë dhe të pyesin: ja vlen të luftojmë për këtë punë apo ta mbyllim gojën sepse jemi komplet jashtë loje dhe të dëgjojnë çfarë ju thonë atje. Nuk kanë  qëllim t’ua thonë këtë, por unë e di çfarë do tu thonë”, vuri në dukje Rama.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›