E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: ‘Bufi’ do të shkrijë SPAK-un dhe platformën e-Albania

TIRANË, 1 maj/ATSH/ Kryeministri, njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama tha sot se mandati i katërt për PS-në duhet pasi ka ende shumë punë për të bërë, teksa forcat e tjera politike thonë se do shkrijnë SPAK-un dhe platformën e-Albania në 12 maj.

Rama e bëri këtë deklaratë gjatë prezantimit të arritjeve kyçe për sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE në Dimal, ku të pranishëm ishin edhe kryebashkiakët e Dimalit dhe Beratit, Juliana Memaj dhe Ervin Demo.

Kryeministri iu referua deklaratave të Berishës, kur u shpreh se bufi i kënetës thotë se do të shkrijë SPAK-un dhe platformën e-Albania në 12 maj.

“Pra, drejtësia do kthehet aty ku ishte në kënetën e bufit, që kur vriteshin njerëz poshtë dritares së kryeministrit, prokurori nuk merrte dot në pyetje tre drejtorë policie dhe Kryeministri dilte dhe e bënte Prokuroren e Përgjithshme lavire. Ka ndodhur para pak vitesh kjo gjë, jo në shekullin e 15-të. Dhe do kthehen të gjitha sportelet aty ku ishin, që njerëzit të çapërlohen nëpër radha dhe emigrantët të mos marrin asnjë shërbim, siç e marrin sot pa lëvizur nga vendi deri në Australi po të presin që të vijnë këtu për të marrë shërbim”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se premtimet për para janë si lekët e bufit, “6 milionë dollarë nga këneta për të pastruar tatuazhin në ballë të non gratës dalin, po ato paratë e tjera për popullin, nuk dalin”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›