Rama: Shpëtuam nga pengmarrësit e vegjël të ish-LSI, këta të tjerët thonë zgjedhje të parakohshme

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kreu i Partisë Socialiste, prezantoi në Dimal arritjet kyçe për sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PS-së ironizoi edhe partitë e reja në opozitë.
“Ne duam të hymë në Bashkimin Europian ata thonë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. E kishim një ndjesë pastë LSI-në që na u ngatërrua nëpër këmbë dhe u kthye në nyje në fyt për shqiptarët, tani në vend që ta kujtojmë për 1 majin meqë është dhe dita e punëtorëve dhe të themi shyqyr shpëtuam nga këtë pengmarrësit e vegjël, tani këta të tjerët thonë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, u shpreh Rama.
Duke komentuar partitë e reja, Rama tha se janë ndoshta të rinj në moshë e në fytyrë, por jo në program në përmbajtje, në kuptim të politikës, të gjeopolitikës, të marrëdhënieve ndërkombëtare.
“S’ka lidhje fare që kur thonë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, kështu që duhet të fokusohemi tek 11 maji dhe tek anëtarësimi në BE”, tha Rama. /j.p/
1 nga 8