E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Çdo hapësirë publike e marrë peng do t’i kthehet komunitetit

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Në të gjithë vendin po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga disa subjekte që kishin marrë peng hapësirën komunitare.

“3 – 4 subjekte kanë marrë peng tërë hapësirën komunitare dhe pyetja për disa komentatorë që qajnë hallin këtu e gjetkë, se duke rivendosur kufirin mes të drejtës e të paligjshmes në hapësirat publike po goditen kursimet e “popullit”, është e thjeshtë: Kush është populli, këta tre katër guximtarë që kanë zënë tërë lulishten e komunitetit apo familjet, të moshuarit, fëmijët, që jetojnë në pallatet përreth dhe dalin nga shtëpitë përmes shtigjeve të lëna nga bizneset?!”, shkroi Rama.

Kryeministri u shpreh se, “edhe kjo hapësirë edhe çdo hapësirë si kjo, do t’i kthehen komunitetit, ndërsa bizneset do të jenë vlerë e shtuar por pa shkelur kufirin e të drejtës së popullit për të lëvizur e marrë frymë lirisht”.

Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Lirimi i hapësirave në qytete dhe plazhet publike në të gjithë vendin, si edhe i hapësirave të përbashkëta mes pallateve, pritet të sjellë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve, si edhe një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë.

/e.i/ /gj.m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›