E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Çdo vendim për taksën e infrastrukturës do të lidhet me performancën e kompanive

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se ende nuk është marrë një vendim lidhur me kërkesën e ndërtuesve për pagesën e taksës së infrastrukturës.

Në një takim me sipërmarrës ku u diskutua Paqja Fiskale, Rama iu përgjigj interesimit të një sipërmarrësi i cili kërkoi që taksa e infrastrukturës të paguhet me këste.

Rama tha se kjo gjë po diskutohet, por në çdo rast do të jetë e lidhur me performancën e kompanive.

“Pagesa e taksës së infrastrukturës po diskutohet. Nuk kemi marrë ende një vendim, por në të gjitha rastet duhet të jetë e lidhur përsëri edhe kjo me performancën e kompanive. Në të kundërt ne nuk mund të marrim dot përsipër aventura që të lejojmë këstet dhe të gjendemi pastaj përballë kompanish që e kanë hapur gropën dhe ngrenë duart lart dhe thonë nuk paguajmë dot”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se qeveria nuk mund ta marrë përsipër këtë risk.

“Lidhur me pagesën e taksës me këste, kjo është një gjë që po e diskutojmë, por për momentin nuk kemi asnjë ndryshim”, shtoi Rama.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›