Rama: Paqja Fiskale nuk është me detyrim për bizneset

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama sqaroi sot se Paqja Fiskale për bizneset nuk është me detyrim.
Gjatë takimit me sipërmarrës, kryeministri u shpreh se bizneset nuk kanë pasoja kur nuk duan të zbatojnë Paqen Fiskale.
“Paqja është marrëveshje vullnetare. Ne ju ofrojmë paqe, ju s’doni paqe është e drejta juaj çfarë problemi ka. Kjo është marrëveshje vullnetare, pra është për të gjithë bizneset që duan të rishikojnë. Ti mund të thuash: – ‘Unë s’dua të rishikoj asnjë faturë, se unë jam në rregull’. Po të erdhën pastaj dhe të gjetën jo në rregull, është temë tjetër”, tha Rama.
Sipas tij, mos aplikimi i Paqes Fiskale nuk ka pasojë, pasi nuk është me detyrim.
“Paqja është për këdo që do paqe. Kushdo që do të vetëkorrigjohet paqja i ofron që ta bëjë këtë gjë në paqe, mos konsiderohet shkelës, mos konsiderohet fshehës etj, etj. Nuk do ta bësh, është e drejta jote s’ka asnjë pasojë, nuk është me zor. Thjesht që do kesh kontrolle, do kesh situata burokratike, ngarkesa etj”, shtoi Rama.
Nëse bizneset do të dua t’i eliminojnë të gjitha këto, sipas tij, vlen Paqja Fiskale.
Rama theksoi se Paqja Fiskale i krijon avantazhin biznesit që nëse fiton më shumë, të mos jetë në konflikt me ligjin.
“Kjo nëse pranon marrëveshjen me administratën tatimore. Ndërkohë që, për sa i përket të djeshmes, ti mund t’i korrigjosh, mund mos t’i korrigjosh është puna jote, pra është vullnetare. Nuk ka asnjë detyrim, jemi të qartë”, shtoi Rama.
/a.f/