Rama: Do të konfiskohen objektet e braktisura prej ’90-s dhe ato që shkelin lejen e ndërtimit mbi masën 2%

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të konfiskohen për interes publik të gjitha objektet e braktisura në Shqipëri, të cilat janë të tilla që prej viteve ‘90.
Në takimin e zhvilluar me deputetët e zgjedhur të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit dhe drejtuesit e strukturave të bashkisë Tiranë, Rama tha se “do të marrim një tjetër masë për të konfiskuar në interes të publikut të gjitha ndërtimet e braktisura dhe të gjitha ngrehinat e braktisura nëpër Shqipëri që nga vitet ’90, që qëndrojnë si karakatinë dhe që kanë edhe problematika të natyrës mjedisore dhe të shëndetit të njerëzve”.
“Do të sqarojmë përfundimisht edhe aspektin me të cilin kanë luajtur shumë njerëz të sistemit të drejtësisë, që kanë mbajtur anën e shkelësve të ligjit në ndërtime, kur vjen puna te shkelja e lejes së ndërtimit me mbi 2% të kufijve të lejes. 2% është një përqindje krejtësisht e arsyeshme që përdoret edhe në vende të tjera të botës, sepse mund të këtë devijime të natyrës teknike, por kur ky 2% kapërcehet, atëherë kjo do të provokojë sekuestrimin e menjëhershëm të të gjithë ndërtimit, jo të një pjese”, nënvizoi Rama, duke shtuar se nuk mund të ketë paligjshmëri të pjesshme.
Rama tha se “paligjshmëria është e plotë, sepse shkelja në ndërtim dhe ndërtimi i kateve shtesë, ndërtimi i volumeve shtesë për qëllim fitimi nuk bëhen në një moment bëhen me muaj dhe me vite dhe janë një shkelje në vazhdimësi me vetëdije të plotë të ligjit. Kjo do të sjellë kalimin menjëherë të asaj prone në duart e shtetit, i cili do të mbrojë blerësit aty ku do të ketë blerës dhe nga tjetër do të përdorë të gjithë pjesën tjetër për interes publik për strehim të njerëzve dhe për njerëzit në nevojë”.
Kryeministri Rama u shpreh se “kemi edhe një problem të madh, që është i patolerueshëm, që toleruar për një kohë të gjatë nga të gjitha bashkitë, që është ai i kantiereve të ndërtimeve në vend, kantiere që nuk kanë asnjë lloj respekti as për të tjerët rreth e rrotull as për mjedisin, as për hapësirën, as për sigurinë. Kantiere që nuk janë kantiere. Rrethime që nuk janë rrethime, ndotje e patolerueshme. Për këtë arsye do të bëhet edhe një ndërhyrje kuptimplote edhe në raport me kantieret e ndërtimit, për të bërë të qartë se çfarë kriteresh duhet të përmbushë një kantier ndërtimi. Ndërkohë që ka edhe një “sport tjetër”, sidomos në Tiranë dhe zonat bregdetare, ku ata ndërtues apo zhvillues që marrin një leje, por ende pa e marrë dokumentin në dorë, kuturisen të fillojnë të hapin gropa, me demek që po hapin kantiere. Edhe për këtë masat do të jenë drastike”.
/k.s//r.e/