E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rruga “Zall” në Kërrabë drejt transformimit, Denaj: Nxitje bujqësisë dhe turizmit


TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Në zonën e Skuterit, Kërrabë, ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës “Zall”, një aks kyç që lidh lagjen me rrugën kryesore dhe me një nga atraksionet më të veçanta natyrore të zonës, Syrin e Ciklopit.

Projekti i ri infrastrukturor synon përmirësimin e aksesit dhe sigurisë për banorët dhe vizitorët, përmes ndërtimit të rrugës me standarde të plota, përfshirë ndriçimin dhe vendosjen e bordurave.

Punimet për ndërtimin e rrugës pritet të përfundojnë brenda dy muajve e gjysmë, ndërsa është realizuar tashmë edhe sistemi i menaxhimit të ujërave të përroit, një element thelbësor për qëndrueshmërinë e investimit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, theksoi se ky është më shumë se një projekt infrastrukture.

“Rruga është hapi i parë drejt një transformimi të plotë të zonës, nga një ish-minierë, në një destinacion të qëndrueshëm me potencial të madh për agroturizëm dhe zhvillim bujqësor”, u shpreh Denaj.

Ajo theksoi se për të gjithë banorët, është i nevojshëm një plan i integruar zhvillimi, ku të gërshetohen bujqësia, turizmi dhe iniciativat lokale, duke krijuar një ekonomi funksionale dhe të qëndrueshme për zonën.

“Banorët duhet të jenë pjesë aktive e këtij transformimi, për të krijuar rentabilitet ekonomik dhe për të rritur cilësinë e jetës së tyre”, shtoi ministrja.

Ky projekt pritet të jetë një model i zhvillimit rural të orientuar drejt qëndrueshmërisë dhe vlerësimit të potencialeve natyrore dhe kulturore të zonave periferike.

/a.gj//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›