Rama: Dorëheqja e Ermal Dredhës, tregues i një njeriu që e do Vlorën

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama vlerësoi sot në Asamblenë Kombëtare të PS figurën e kryebashkiakut të dorëhequr të Vlorës, Ermal Dredha, duke u shprehur se ishte më i miri në situatën e krijuar në Vlorë.
Rama solli shembullin e administratës në Vlorë, duke ndarë një përkufizim të shkurtër të situatës.
“Vetëkënaqësi labe e mbingarkuar me re në pantallonat e pushtetit. Dembelizëm dhe karshillëk ndaj popullit të Vlorës e një aradhe të tërë njerëzish pa fe’, njerëzish pa atdhe, njerëzish pa din e iman me mandatin e drejtorit dhe të tërë hipur mbi shpatullat e qeverisë në kuptimin që ‘qeveria investo për Vlorën, e këta shkele me këmbë Vlorën’ hipur si pasagjerët e autobusit të Kuçit”, tha Rama.
Rama komentoi edhe dorëheqjen e kryebashkiakut Ermal Dredha, duke u shprehur se, “në të gjithë atë situatë është më i miri”.
“E gjithë kjo situatë do të ishte gabim i madh sikur të lidhej me kryetarin e bashkisë, i cili në të gjithë atë situatë është më i miri, se nëse lidhet me kryetarin e bashkisë atëherë bëhet gabimi tjetër që ia lëmë vetëm Vlorës. Nuk është vetëm Vlora. Dhe dorëheqja e Ermalit sot, pas bisedave që kemi bërë bashkërisht, është treguesi pikërisht i asaj që thashë, i një njeriu që e ndjen, e do Vlorën dhe që i vetmi problem që ka është që duke ndenjur për një kohë shumë të gjatë jashtë Vlorës, larg Vlorës, larg Shqipërisë si një diplomat, u zbut më shumë se ç’duhet për të përballuar aradhenë. Uroj shumë që skuadra e re e deputetëve të qarkut të Vlorës mos e harrojë asnjë ditë se të përfaqësosh Vlorën në radhët e grupit parlamentar të PS-së është një privilegj shumë, po shumë i veçantë, të cilin sado të punosh për Vlorën nuk mund ta meritosh dot deri në fund. Por, ama, për ta merituar sadopak duhet të jesh ushtar i atij populli, mbrojtës i atyre që kanë talent dhe që kanë merita po s’kanë miq dhe kushërinj deputetë dhe kuadro në Vlorë”, tha Rama.
/gj.m/