VARSHAVˠ– Tusk: Polonia nis modernizimin ushtarak pas shkeljes së hapësirës ajrore

VARSHAVË, 11 shtator /ATSH/ – Kryeministri polak Donald Tusk premtoi sot që të vijojë me një program të madh modernizimi të ushtrisë së vendit, një ditë pas hyrjes së dronëve rusë në hapësirën ajrore të Polonisë, sipas AP.
Zyrtarët europianë përshkruan këtë shkelje si një provokim të qëllimshëm, që detyroi NATO-n të përballet për herë të parë me një kërcënim në hapësirën e saj ajrore. Ngjarja thelloi frikën se lufta trevjeçare mes fqinjëve të Polonisë mund të çojë në një konflikt më të gjerë.
Agjencia Polake e Navigacionit Ajror njoftoi sot se po vendoste kufizime për trafikun ajror në pjesën lindore të vendit, një masë e kërkuar nga ushtria për arsye sigurie kombëtare.
Disa nga dronët që hynë në hapësirën polake erdhën nga Bjellorusia, ku forcat ruse dhe lokale po grumbullohen për manovra ushtarake që do të nisin nesër. Polonia do të mbyllë gjithashtu kufirin me Bjellorusinë sot në mesnatë.
Kina kërkoi që Polonia të mbajë të hapur një pjesë të kufirit për linjën hekurudhore Kinë-BE, pjesë e iniciativës “Belt and Road” për të nxitur tregtinë.
Tusk vizitoi trupat polake në bazën ajrore të Laskut, duke lavdëruar reagimin e shpejtë të tyre dhe të forcave aleate të NATO-s nga Holanda. Polonia pritet të marrë vitin e ardhshëm avionët e parë F-35 nga SHBA-ja, pjesë e paketës mbështetëse prej 32 avionësh që do të dorëzohen deri në 2030. /Ad.Ab./