Rama: Drejt përfundimit punimet për urën e re të Viroit

TIRANË, 28 mars/ATSH/ Punimet për ndërtimin e urës së Viroit në Gjirokastër, e para nga 30 urat që do të ndërtohen ose përmirësohen në të gjithë Shqipërinë, me mbështetjen e Bankës Botërore dhe investimin e qeverisë shqiptare, janë drejt përfundimit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky kantier që përfshin ndërtimin e një ure të re me dy hapësira drite, si dhe ndërtimin e një tombinoje të re që lidh urën e vjetër në digën e liqenit me lumin Drino.
Gjithashtu, kryeministri informoi se janë realizuar strukturat në funksion të kategorisë C2 të rrugës, si dhe përmirësimi i nyjave në hyrje dhe në dalje, në një gjurmë të re rrugore që kalon paralel me rrugën ekzistuese në anën e lumit.
“Përfundimi dhe hapja e kësaj vepre do të sjellë përmirësimin e gjurmës ekzistuese, rikthimin e kapacitetit mbajtës të strukturës dhe rritjen e sigurisë rrugore, duke shmangur ndërprerjen e qarkullimit për shkak të përmbytjeve”, u shpreh Rama.
Ura, me gjatësi 33 metra dhe gjerësi 7 metra, do të ketë dy korsi dhe trotuare në të dy anët, duke kontribuar në një infrastrukturë transporti të qëndrueshme ndaj klimës. E vendosur në aksin SH4 drejt pikës kufitare të Kakavijës, ura është thelbësore për lidhjen rajonale.
Ura e re do të shkurtojë kohën e udhëtimit, përmirësojë sigurinë gjatë përmbytjeve dhe lidhë komunitetet e Jugut të Shqipërisë, duke krijuar më shumë mundësi për punësim, arsim, shëndetësi dhe akses në tregje.
Ndërtimi i saj garanton qarkullim të pandërprerë gjatë gjithë vitit, duke përfituar mbi 200 mijë drejtues mjetesh dhe 150 mijë këmbësorë.
1 nga 6/m.m/j.p/r.e/