E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Drejtësia e pavarur duhet të jetë pjesë e betejës ndaj ndërtimeve pa leje

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ndalimi i ndërtimeve pa leje në territorin e vendit kërkon funksionimin e plotë të të gjitha hallkave të shtetit dhe mbështetjen e strukturave të drejtësisë në zbatimin e ligjit.

Gjatë një takimi me kryetarët e bashkive për performancën lokale në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, Rama theksoi se kjo është një betejë e përditshme që nuk mund të fitohet pa bashkëveprim institucional.

“Kjo është një betejë e përditshme dhe nëse nuk funksionojnë të gjitha hallkat, dhe mbi të gjitha, nëse struktura e pavarur e drejtësisë nuk është në dispozicion të kësaj përpjekjeje dhe nuk mbështet zbatimin e ligjit, atëherë kjo përpjekje do të shfaqet hera-herës në këtë formë, deri sa të gjithë të kuptojnë se nuk ka asnjë llogari që të nxjerrë fitues duke bërë ndërtime pa leje”, u shpreh Rama.

Kryeministri komentoi gjithashtu edhe ndërhyrjet për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit, duke theksuar se janë bërë hapa konkretë për legalizimin e ndërtimeve të vjetra dhe zhvillimin e zonës.

“Në Theth kemi bërë një plan të tërë pune me bashkinë e Shkodrës. Kemi realizuar legalizimin e ndërtimeve të vjetra, kualifikimin urban të zonës dhe kemi vendosur financime përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit”, tha Kryeministri.

/a.gj.//r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›