E Premte, 6 Nëntor 2026

Rama: Duhet ndarë mobilizimi qytetar nga dhuna, kemi adresuar kërkesat e protestës së "Flamingove" - ATSH -

TIRANË, 5 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria ka bërë hapa të rëndësishëm për të adresuar kërkesat e mobilizimit qytetar në protestat masive që nisën në qershor, të ashtuquajtura si revolucioni “Flamingo”.

I pyetur nëse lëvizja studentore në vend mund të rrezikojë të kthehet në një lëvizje studentore si ajo e Serbisë, Rama u shpreh se janë dy realitete që nuk kanë asnjë gjë të përbashkët njëri me tjetrin.

“Se sa e ngjashme është Shqipëria me Serbinë dhe situata në Serbi me situatën në Shqipëri, këtë mund ta konstatoni duke krahasuar qëndrimin e Bashkimit Europian ndaj ndryshimit në Serbi dhe ndaj ndryshimeve të mëdha që ka bërë Shqipëria këtë vit. Pra, janë dy realitete që nuk kanë asnjë gjë të përbashkët njëri me tjetrin, pavarësisht përpjekjes për t’i bashkuar në funksion të një agjende që nuk është agjenda e Bashkimit Europian, nuk është agjenda e qeverisë dhe e shumicës qeverisëse, por është agjenda e atyre që duan të rrëzojnë qeverinë me dhunë”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se duhet bërë dallimi midis protestave masive të fillim të muajit qershor dhe degradimit më pas të bulevardit në një arenë sorrash dhe korbash, që nuk kishte se si të mos sillte tek dhuna.

“Ishte e dhunshme edhe pa qenë me gurë dhe me molotovë në dorë, kur parulla që kishte ishte “nuk ka dialog, jep dorëheqjen”. Është ilegjitime në demokraci që dikush ta mendojë kështu, totalisht ilegjitime të përdoret huri dhe zjarri në funksion të këtij mendimi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se në funksion të protestave masive që nisën në muajin qershor, qeveria ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të transparencës.

Ai kujtoi se është publikuar gjithçka lidhur me Zvërnecin dhe Sazanin dhe nuk ka parë asnjë kontestim përmbajtësor për këto çështje.

“Kjo, pasi gjithçka është në anën tonë, për sa i takon procesit të ndjekur dhe ligjshmërisë dhe moralit të shtetit në këtë proces. Më pas, me buxhetin e ri, kemi adresuar drejtpërdrejt çështje të cilat lidhen me anën ekonomike të shqetësimeve të njerëzve, që nga realizimi i një zotimi të kahershëm të uljes së TVSH-së për shportën në 6%, deri tek ulja e drejtpërdrejtë e çmimit të naftës në pompë me 32 lekë duke spostuar taksën e qarkullimit tek automjeti”, shtoi Rama.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›