Rama: Nesër hapim një dritare të re dialogu, tre grupe studentësh u kërcënuan pas përpjekjeve për të diskutuar me qeverinë - ATSH -
TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri sot të ditur se nesër do të hapet një platformë e re komunikimi dhe dialogu me qytetarët.
Gjatë konferencës për mediet me ambasadoren e Bashkimit Evropian, Sofia Moreira de Sousa, e cila i dorëzoi progresraportin e KE-së, Rama tha se përmes saj studentët dhe të gjithë të interesuarit do të kenë mundësi të adresojnë drejtpërdrejt shqetësimet dhe problematikat e tyre pranë qeverisë.
“Nesër ne do të ndezim një tjetër dritare në ekranet e kujdo që është i interesuar, që është një dritare e dialogut. Një dritare e dialogut që i ofrohet të gjithë atyre që duhen të ndërveprojnë me mua, që duhen të ndërveprojnë me qeverinë, për çdo çështje që ata e shohin me rëndësi. Një dritare e dialogut për studentët që kërcënohen nga pseudostudentë që shfaqen në dyert e auditorëve dhe që i çojnë mesazhe të dhunshme kudo që mendon ndryshe, sillet ndryshe apo që guxon për të hedhur hapin e dialogut”, tha Rama.
Rama u ndal veçanërisht te rastet e studentëve që sipas tij janë kërcënuar dhe intimiduar nga persona që i cilësoi si “pseudostudentë”, pasi kanë dashur të dialogojnë me të.
Kryeministri bëri të ditur se tre grupe studentësh janë penguar, përmes presionit dhe dhunës online dhe fizike, që të zhvillonin takime me të. Sipas Ramës, studentët kishin kërkuar një takim pa kamera, fotografi apo praninë e medieve, vetëm për të zhvilluar një bisedë.
“Tre grupe studentësh janë kthyer mbrapsht me dhunë, online dhe offline nga këta lloj pseudosh, në përpjekjen e tyre për të ardhur në takim me mua pa kamera, pa foto, pa njoftim shtypi thjesht për të biseduar. Tre grupe studentësh me emra dhe me mbiemra, të dekonspiruar dhe pastaj të bullizuar në ekstrem”, tha ai.
Rama tha se ndaj personave të cilët ushtrojnë presion, kërcënime apo dhunë do të ketë përgjigje ligjore, duke theksuar se masat do të jenë si penale, ashtu edhe administrative.
“Një gjë dua të jetë e qartë për të gjithë: unë nuk jam më as student, as pedagog, por vij nga një rrugë ku kam qenë student dhe pedagog dhe bashkë me studentët kam dalë kundër një regjimi real, jo regjimi imagjinar, vetëm për një arsye, për të qenë i lirë të them atë që dua, ku të dua. Kush mendon se me frikën, me trembjen, me kërcënimin, me dhunën do ketë impaktin më të vogël mbi mua dhe mbi rrugëtimin tonë, i ka bërë të gjitha llogaritë gabim. Përkundrazi, do ta marrë përgjigjen hap pas hapi ligjërisht, siç po e marrin një nga një, edhe penalisht, edhe administrativisht”, tha ai.
Rama shtoi se “edhe ata që ngrenë dorën kundër policisë dhe kundër shtetit, edhe ata që bllokojnë rrugët, se ashtu iu vjen atyre, dhe ndërkohë nuk duan të dinë për mijëra e dhjetëra mijëra të tjerë që janë në qytetin e tyre, janë në të drejtën e tyre të lëvizin lirë në këtë qytet dhe janë në lirinë e tyre që të bëjnë atë që duan, të thonë atë që duan, të mendojnë atë që duan dhe të shkojnë aty ku duan”.
/m.q/r.e/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
