E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Dy fotografi dhe dy fytyrat e një simboli të thirrjes për diasporën në protestë

TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale dy fotografi që, sipas tij, simbolizojnë thirrjet për diasporën në protestë.

Në foton e parë paraqitet një shtesë ndërtimi e e paligjshme brenda mureve të kalasë së Durrësit, për të cilën Rama thekson se do të trajtohet në kuadër të procesit të shpronësimeve dhe ndërhyrjeve për rehabilitimin e zonës historike të Durrësit

Në foton e dytë, shfaqet një qytetare e përfshirë në protesta, e cila ka bërë thirrje për mobilizim nga diaspora, e cila është ndërtuesja e shtesës pa leje.

“Dy fotografi dhe dy fytyrat e një simboli të thirrjes për diasporën në protestë

Majtas: Një shtesë skandaloze pa leje brenda mureve të kalasë së Durrësit. Shteti do ta shpronësojë në kuadrin e pastrimeve për projektin e Rilindjes së Zonës Historike, sipas udhëzimit të arkitektëve.

Djathtas: Një protestuese e përbetuar për mbrojtjen e mjedisit që bërtet, “Diaspora këtë vit nuk do të vijë për pushime, por për protestë”. Ajo është vetë ndërtuesja e shtesës pa leje, e cila ka deklaruar përpara meje se do hidhet me kokë nga tarraca, po nuk e pranon fondin e shpronësimit të atij çibani ngaqë i duket pak!”, shkruan Rama.

Pikërisht, shton Kryeministri, “kështu funksionon algoritmi i manipulimit në rrjetet sociale:  Një shkelëse e ligjit, qëndrestare kundër pastrimit të trashëgimisë kulturore nga çibanët e ndërtuar pa leje vishet me flamurin e interesit publik, ve kujën për atdheun në rrezik dhe kthehet në heroinë”.

“Fakti pastaj që ky personazh grotesk është edhe militante e vajmedet Partisë Demokratike, e fut rastin në një kornizë shembullore të dashurisë për natyrën”, thekson Rama.

“Çibani ka një hipotekë nga koha e dy gishtave”, përfundon Rama

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›