Rama: Gara mes kombeve do zhvillohet përmes IA, Shqipëria kontribuuese në konkurrueshmërinë e Europës

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë në konferencën vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor, një forum i rëndësishëm që bashkon përfaqësues të politikës, biznesit dhe diplomacisë për të diskutuar zhvillimet ekonomike, gjeopolitike dhe sfidat e së ardhmes në Europë.
Si i ftuar nderi në këtë konferencë, kryeministri Rama iu adresua pjesëmarrësve, mes të cilëve përfaqësues të sipërmarrjes gjermane, ekspertë të sigurisë, ekonomisë dhe inovacionit, si edhe zyrtarë të Bundestagut dhe Kancelarisë Federale.
Në fjalën e tij Rama theksoi se, e ardhmja e Europës nuk do të vendoset vetëm nga gjeopolitika, ajo do të vendoset edhe nga novacioni.
“Gara e ardhshme e madhe mes kombeve nuk do të zhvillohet kryesisht përmes territorit, do të zhvillohet përmes inteligjencës. Inteligjencës artificiale. Infrastrukturës digjitale. Kërkimit shkencor. Sovranitetit teknologjik. Kapacitetit për të sjellë novacion më shpejt se konkurrentët”, tha Rama.
Kreu i qeverisë, shtoi se, inteligjenca artificiale nuk është thjesht një revolucion tjetër teknologjik.
“Ajo po bëhet me shpejtësi infrastruktura nga e cila do të varet gjithnjë e më shumë fuqia ekonomike, kapaciteti ushtarak, lidershipi shkencor dhe qëndrueshmëria demokratike”, tha Rama.
Për herë të parë, nënvizoi Rama, “që nga Revolucioni Industrial, lidershipi teknologjik mund të përcaktojë, jo vetëm kush bëhet më i pasur, por kush mbetet sovran. Është e qartë që Europa e kupton këtë, ndaj është gjithnjë e më e rëndësishme të flitet për sovranitet teknologjik, por sovraniteti kërkon shkallë dhe shkalla kërkon integrim”.
Sipas tij, asnjë kontinent nuk mund të pretendojë seriozisht të udhëheqë revolucionin e inteligjencës artificiale, ndërkohë që lë vullnetarisht jashtë ekosistemit të vet të novacionit miliona qytetarë, mijëra inxhinierë, gjeografi strategjike dhe talent të pashfrytëzuar.
“Europa nuk mund ta fitojë garën e shekullit XXI me njërën dorë të lidhur pas shpine”, tha Rama.
Duke folur për vendin tonë, kryeministri Rama theksoi se, “nga ana e saj, Shqipëria në shkallën saj modeste, po punon për një nga transformimet digjitale më ambicioze në Europë”.
“Ne po rikonceptojmë administratën publike të përqendruar në teknologji. Kemi digjitalizuar 95% të shërbimeve publike. Ulja e burokracisë është kthyer në idenë tonë fikse”, tha Rama.
“Po shtrijmë inteligjencën artificiale në të gjithë qeverisjen. Jo sepse teknologjia është në modë, por sepse inovacioni është bërë rruga më e shkurtër nga periferia drejt qendrës. Një Shqipëri më e gjelbër, më digjitale dhe më novatore është e mirë jo vetëm për ne, është e mirë për Europën”, u shpreh ai.
Rama shtoi se, konkurrueshmëria e Europës do të varet gjithnjë e më shumë nga mobilizimi i gjithë talentit të saj, gjithë gjeografisë së saj dhe gjithë potencialit të saj dhe Ballkani Perëndimor nuk është thjesht kandidat për anëtarësim.
“Ne jemi kontribuues në konkurrueshmërinë e ardhshme të Europës. Sa më shpejt Europa të fillojë ta shohë zgjerimin jo si lëshim, por si investim, aq më e fortë do të bëhet vetë Europa”, tha Rama.
/gj.m/j.p/r.e/