Çomo: Vetingu i domosdoshëm për kthimin e besimit te Drejtësia, tani nis etapë të re për sistemin gjyqësor

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Kryetari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Sokol Çomo, tha sot në ceremoninë përmbyllëse të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu), se Shqipëria po shënon mbylljen e një kapitulli të rëndësishëm të reformës në drejtësi dhe hyrjen në një fazë të re të funksionimit të sistemit gjyqësor.
Gjatë fjalës së tij, Çomo theksoi se procesi i deritanishëm ka qenë një etapë e vështirë dhe shpeshherë e dhimbshme për vendin, e shoqëruar me vendime të rëndësishme që kanë ndikuar te njerëzit, institucionet dhe mënyra se si shoqëria shqiptare e percepton drejtësinë.
Sipas Çomos, përfundimi i kësaj faze tranzitore shënon fillimin e një etape të re, ku drejtësia shqiptare duhet të funksionojë përmes mekanizmave të zakonshëm të shtetit të së drejtës, pa u mbështetur më në struktura të posaçme dhe të përkohshme.
“Do të reflektojmë sot mbi kuptimin më të thellë që ka shënjuar jetën kushtetuese dhe institucionale të vendit tonë e cila ka qenë një etapë e vështirë dhe në shumë raste e dhimbshme, një etapë që kërkoi vendime të renda, dhe që preku njerëz institucione dhe vet mënyrën sesi shoqëria shqiptare e percepton drejtësinë. Jemi këtu dhe për të thënë se kjo etapë ishte e nevojshme. E nevojshme jo sepse masat e jashtëzakonshme janë të dëshirueshme në një demokraci, por se në atë moment të historisë sonë ato u konsideruan të domosdoshme për të rikthyer besimin e qytetarëve shqiptarë tek drejtësia dhe për të krijuar kushtet që sistemi të mund të funksiononte në sisteme më të forta.
“Sot po shënohet mbyllja e një kapitulli tranzicioni dhe fillimi i një etape të re. Një etapë në të cilën sistemi i drejtësisë shqiptare është thirrur të funksionojë në mënyrën e tij natyrore jo më i mbështetur në mekanizma të posaçëm dhe të përkohshëm, por në institucionet e zakonshme të shtetit të së drejtës”, tha ai.
Ai nënvizoi se një sistem drejtësie konsiderohet i konsoliduar kur ka aftësinë të vetërregullohet, të kërkojë llogari dhe të ruajë integritetin e tij në mënyrë të qëndrueshme. Në fjalën e tij, Çomo shprehu mirënjohje edhe për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), duke vlerësuar rolin e tij gjatë nëntë viteve të procesit të rivlerësimit.
“Një sistem drejtësisë konsiderohet i konsoliduar ku zotëron brenda vetës aftësinë për t’u vetërregulluar, për të kërkuar llogari dhe ruajtur integritetin e tij në mënyrë të qëndrueshme. Një falënderim i drejtohet OMN-së. prania e OMN-së përfaqësoi një garanci shtesë transparence profesionalizmi dhe besueshmërie gjatë këtyre 9 viteve kemi ndarë përgjegjësinë e një misioni të pazakontë dhe sfidues në shërbim të një qëllimi të përbashkët, forcimit të drejtësisë shqiptare”, tha ajo.
Ai vlerësoi gjithashtu faktin që Shqipëria pati guximin të ndërmarrë një reformë të thellë, ta çojë atë deri në fund dhe ta realizojë brenda rendit kushtetues, duke respektuar parimet e drejtësisë.
Në përmbyllje, Çomo theksoi se ky moment nuk duhet parë si fundi i një rruge, por si fillimi i një përgjegjësie të re për institucionet e drejtësisë.
“Shqipëria pati kurajon të ndërmarrë një reformë të thellë ta çojë atë deri ën fund dhe ta realizojë atë arenda rendit kushtetues dhe në respekt të parimeve të drejtësisë. Le ta shohim këtë moment, jo si fundin e një rruge, por si fillimin e një përgjegjësie të re, sepse drejtësia nuk është një destinacion që arrihet një herë e përgjithmonë, ajo është një përpjekje e vazhdueshme. Një angazhim i përditshme një përgjegjësi që kalon nga një brez tek tjetri dhe një premtim solemn që institucionet u bëjnë qytetarëve të tyre se do t’i shërbejnë ligjit me integritet me paanshmëri dhe dinjitet”, tha ajo.
/m.q/j.p/r.e/