Rama: Hoteli në Elbasan nga barakë në vitin 1991 tashmë qendër termike kurative

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Hotel “Iliria” në Elbasan, një oaz qetësie ngritur mes natyrës përrallore dhe llixhave kurative, frekuentohet nga qindra turistë vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale dëshminë e sipërmarrësit të këtij hoteli, i cili nga një barakë që ishte në vitin 1991 e shndërroi në një qendër termike kurative në Elbasan.
Rama tha se turistë vendas dhe të huaj kanë gjetur aty jo vetëm zgjidhje për shëndetin e tyre, por edhe mikpritjen e pashoqe të Alekos dhe stafit të tij “Iliria”.
“Nga një barake e vogël në vitin 1991 sot ka statusin e një Qendre Termike Kurative në Elbasan dhe ofron një kombinim shërbimesh nga akomodimi në hotel te bari dhe restoranti, dhe sidomos trajtimet termale që përfshijnë terapi të ndryshme me ujëra termale natyrale dhe baltë minerale, seanca fizioterapie dhe terapi masazhi, të gjitha shërbime nën kontrollin, kujdesin dhe rekomandimin e mjekut”, u shpreh Rama.
Nga ana e tij sipërmarrësi i këtij hoteli tregon se e ngriti nga një barakë në një qendër kurative.
“Në vitin 1991 kontaktuam me një nga miqtë e mi të zonës. Kishte filluar të ndërtonte një barakë të vogël dhe donte ta shiste këtë objekt. Unë e pashë me atë syrin që mund të bëhej diçka në të ardhmen në këtë zonë që është jashtëzakonisht e bukur. Filluam avash avash të zhvilloheshim. Nga barakë u bë si tip dyqani, u bë një godinë dykatëshe me disa dhoma sipër në katin e dytë dhe mori pamjen e një moteli që ishte edhe bar restorant”, tregon ai.
Në vijim ai tregon se përfshirja e një prej burimeve të llixhave e ktheu këtë objekt në një qendër kurative.
“Në vitin 2006 ndërtuam disa shtëpiza druri bashkë me hotelin sipër dhe krijuam një pikë të këndshme kurative. Por ishte e domosdoshme dhe ngritëm edhe një pishinë me ujë termal. Mundohemi t’i mirëpresim në mënyrë perfekte klientët tanë që nuk janë vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova dhe nga Europa”, tha ai.
Vetë klientët e këtij hoteli vlerësojnë veçanërisht mikpritjen që ofrohet në këtë qendër kurative nga stafi i hotelit.
Llixhat e Elbasanit janë ndër më të njohurat në vend. Pranvera dhe vera është pikërisht koha kur nis frekuentimi masiv i këtyre llixhave nga vizitorë vendas dhe të huaj.
/m.m/