MEDIA – Drejtoresha e HINA-s, Vojvodiç zgjidhet sekretare e përgjithshme e AMAN-it

ZAGREB, 29 maj /ATSH-HINA/- Drejtoresha e përgjithshme e agjencisë kroate të lajmeve, HINA, Branka-Gabriela Vojvodiç u zgjodh sot sekretare e përgjithshme e Aleancës së Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN) – ku ATSH është anëtare me të drejta të plota – në Asamblenë e 33-të të Përgjithshme të Aleancës së Agjencive Mesdhetare të Lajmeve, në Marrakesh.
Ajo do të zëvendësojë Georg Paninteax, i cili shërbeu për më shumë se dy dekada.
“Arsyeja pse vendosa të kandidoja për këtë pozicion nuk është për shkak të pakënaqësisë me punën e mëparshme, por krejt e kundërta, ideja se jemi pjekur mjaftueshëm, se, metaforikisht, kemi arritur moshën madhore dhe si organizatë dhe si individë jemi gati për detyra të reja, ndoshta më ambicioze”, tha Vojvodiç pas zgjedhjes së saj.
“Jam jashtëzakonisht krenare për këtë rol, sepse e shoh Kroacinë si të rrënjosur thellë në mjedisin mesdhetar dhe më pëlqen ideja që vendi ynë po udhëheq në zhvillimin e vlerave të përbashkëta nga i gjithë pellgu i Mesdheut”, shtoi ajo.
Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) u përfaqësua në këtë asamble nga drejtoresha e përgjithshme, Valbona Zhupa dhe drejtoresha e Informacionit dhe Multimedias, Almarina Gegvataj.
AMAN u themelua në vitin 1991 në Tunizi – me qëllim forcimin e bashkëpunimit midis agjencive të lajmeve nga vendet përgjatë brigjeve të Mesdheut.
AMAN udhëhiqet nga vlera të tilla si barazia, toleranca, respekti i ndërsjellë dhe profesionalizmi.
Është një organizatë lajmesh jopolitike që mbulon një gamë të gjerë temash, duke përjashtuar politikën, duke u përqendruar gjithnjë e më shumë në qëndrueshmëri, ekonominë e gjelbër dhe ruajtjen e stilit të jetesës mesdhetare, traditave dhe kulturës nga të dy brigjet e detit.
Temat kryesore të dialogut midis agjencive të lajmeve mesdhetare përfshijnë demokratizimin, të drejtat e njeriut, zhvillimin socio-ekonomik, kulturor dhe shkencor, çështjet mjedisore, migrimin dhe paqen e sigurinë në rajon.
AMAN përfshin 20 agjenci nga Mesdheu verior dhe jugor. Hina priti konferencën e AMAN-it në Dubrovnik në shtator 2022, e cila rezultoi në miratimin e një deklarate mbi qëndrueshmërinë, duke i bërë të gjithë anëtarët e AMAN-it edhe anëtarë të Paktit të Medias të OKB-sësë për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. //a.i/