E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Inteligjenca Artificiale do të hyjë fuqishëm në shërbimin tonë shëndetësor

TIRANË, 5 tetor/ ATSH/ Shëndetësia shqiptare po hyn në një etapë transformimesh të reja ndërsa përfshirja e teknologjisë së avancuar dhe inteligjencës artificiale është prioritet i mandatit të katërt të qeverisë së Kryeministrit Edi Rama.

Duke u ndalur tek zhvillimet në shëndetësi, gjatë episodit të parë të sezonit të ri të podkastit “Flasim”, Rama u shpreh se Inteligjenca Artificiale do të hyjë fuqishëm në shërbimin tonë shëndetësor, falë partneritetit strategjik me një aktor të spikatur botëror në këtë fushë.

“QSUT do të materializojë partneritetin strategjik me spitalin San Raffaele të Milanos, duke aplikuar një model suksesi në menaxhimin dhe fuqizimin e kapitalit njerëzor të sistemit spitalor”, theksoi Rama.

Po ashtu, sipas tij, Universiteti i Mjekësisë do të hapë kapitullin e ri të partneritetit me Universitetin Vita-Salute po të Milanos, me synim diplomat e njehsuara europiane.

Kryeministri u ndal edhe tek një zhvillim i ri pranë spitalit rajonal “Memorial” Fier, ku siç theksoi Rama “duam të sjellim një universitet të ri ndërkombëtar të mjekësisë”.

Për këtë universitet, pala shqiptare po punon me një grup të mirënjohur ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë.

Inteligjenca Artificiale do të udhëheqë revolucionin në shëndetësi, ndërsa digjitalizimi i plotë mbetet pararendës i përdorimit të inteligjencës artificiale në diagnostimin e përparuar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›